Kategoria Superiore

Longo: Ndaj Kastriotit dua maksimumin, për titullin pyesni Tiranën

Kukësi rikthehet në Rrogozhinë, aty ku një javë më parë mposhti 0-2 Egnatian, ndërsa këtë herë do të presë Kastriotin, një tjetër ndeshje për t’u fituar në letër, por krutanët nuk janë më skuadra e gjysmës së parë të sezonit.

Këtë e di mirë trajneri Diego Longo, që në konferencën për shtyp para takimit theksoi se ka respekt për kundërshtarin, por kërkoi një tjetër sukses nga të tijtë, për të ruajtur ritmin e Tiranës kryesuese.

“Është një tjetër ndeshje ku ne duhet të japim 100% për shkak se ata janë shumë të motivuar. Ata vijnë nga një rezultat pozitiv me Dinamon. Ne e respektojmë shumë këtë kundërshtar edhe për shkak të lojës që kanë treguar ndaj çdo kundërshtari.

Është shumë e rëndësishme që të fitojmë në këtë takim që të gjejmë vazhdimësinë, të vijojmë me rezultatet pozitive. Kemi treguar se dimë të luajmë, por ka disa momente që nuk bëjmë lojën tonë kompakte. Bëjmë disa ndeshje të mira radhazi dhe më pas gabojmë në një. Nëse fitojmë në këtë ndeshje kam besim se do të kemi vazhdimësinë më pas.

Nuk kemi pasur një sulmues si Shkurtaj në pjesën e parë të kampionatit por tani e kemi dhe tani po e arrin formën e tij. Na janë rikuperuar disa lojtarë dhe kam shumë besim se jemi në rrugën e duhur. Nuk trembem për asgjë.

Në këtë moment duhet të pyesim Tiranën për titullin. Ne shohim ndeshjen e radhës dhe do provojmë deri në fund për ti arritur. Mbetet gjithçka e hapur”, tha ndër të tjera italiani i Kukësit.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency