VIDEO/ Trazira pas disfatës në Botërorin e Klubeve, një tifoz i Palmeiras humbet jetën!
Palmeiras doli me kokën ulur nga finalja e Botërorit të Klubeve teksa u mposht në kohën shtesë nga Chelsea me rezultatin 2-1. Brazilianët zhvilluan një kompeticion të mirë, mirëpo fansat mesa duket kishin pritshmëri më të larta dhe në Brazil, pranë stadiumit Allianz Parque në Sao Paulo ku turma ishte mbledhur për të ndjekur ndeshjen që zhvillohej në Abu Dhabi, nisi një përleshje menjëherë pas përfundimit të sfidës me Chelsea.
Tifozët e Palmeiras u kapën me njëri-tjetrin, ndërsa bilanci i kësaj trazire ishte tragjik duke qenë se një prej tifozëve humbi jetën pasi u qëllua me armë. Edhe pse tifozi i Palmeiras u dërgua menjëherë për në spital, sërish nuk ia doli të mbijetonte dhe plaga e marrë i kushtoi jetën.
Sakaq, policia ndërhyri menjëherë ndërsa autoritetet besojnë se e kanë kapur autorin e krimit. Ndërkaq, mes tifozëve ka edhe të tjerë të lënduar të cilët përfunduan në spital të goditur apo me gjymtyrë të thyer, por që fatmirësisht nuk patën pasoja fatale.



