Tirana në provë pa Seferin, Egnatia në presionin e mbijetesës
Tirana kërkon fitoren e katërt radhazi ndaj Egnatias, me bardheblutë që tashmë synojnë të thellojnë akoma dhe më shumë diferencën me ndjekësit. Kryeqytetasit dyhet të bëjnë në këtë përballje pa dy prej lojtarëve kryesor. Shënuesi më i mirë i kampionatit, Taulant Seferi ka plotësuar numrin e kartonëve duke humbur ndeshjen e parë për këtë edicion, ndërsa në anën tjetër Erjon Hoxhallari ka pësuar një dëmtim që e detyron të qëndrojë larg fushave të blerta.
Kryesuesit e kampionatit vijnë me moralin lart, teksa po i bëjnë gjërat ashtu siç duhet, në tetë ndeshjet e zhvilluara si pritëse, gjashtë prej tyre i kanë mbyllur me rrjetën e paprekur, ndërsa kanë arritur që ta gjejnë rrugën e rrjetës në shtatë sfida. Skuadra bardheblu ka sulmin më të mirë dhe mbrojtjen më hermetike, megjithatë ndaj Egnatias janë të vetëdijshëm se duhet përqëndrim maksimal, pasi rrogozhonasit kanë mundur që t’u marrin një pikë kryeqytetasve në sfidën e fazës së parë pikërisht në Tiranë.
Egnatia në krahun tjetër nuk i ka kushtet shumë të favorshme, për vetë faktin se iu desh që të angazhohej në Kupë, ku luajti për më shumë se 120 minuta dhe në fund mori zhgënjimin nga eliminimi përballë Laçit. Skuadra e Zekirija Ramadanit ka nisur të ndjejë presionin e Kastriotit që tashmë është vetëm 1 pikë larg e natyrisht do të kërkojë kthesën, duke shpresuar se skuadra do të reagojë si në ndeshjen me Laçin në mesjavë ku bëri gjithçka për të marrë një rezultat pozitiv.
Rrogozhinasit kanë marrë vetëm 1 humbje në tre ndeshjet e fundit në kampionat e synojnë që në kryeqytet të bëjnë më të mirën e tyre për të bërë kthesën e shumëpritur. Ilir Allmuca do të jetë mungesa e madhe e Egnatias, për shkak se ka plotësuar numrin e kartonëve të verdhë.



