Sport

Lojërat Olimpike Dimërore/ Mbeten edhe pesë medalje, ja shtetet me më shumë të arta

Në ditën e parafundit të Olimpiadës së Pekinit Gjermania fitoi duelin në distancë me Norvegjinë, megjithatë seleksioni i ekipit nordik mund të konsiderohet që tani si vendi fitues i Lojërave të 24 Dimërore.

Përfaqësuesja norvegjeze e mbylli pa medalje të artë ditën e 18 të Olimpiadës Kineze, ndërsa Gjermania ia doli për të fituar të paktën një, sidoqoftë shumë pak për ekipin teuton për të hapur llogaritë në klasifikimin përfundimtar të këtyre lojërave. Ditën e fundit janë në lojë edhe pesë medalje të tjera të arta, ku njëra prej tyre do të jepet në finalen e madhe të hokejit për meshkuj Rusi – Finlandë.

Për momentin Norvegjia kryeson me 15 medalje të arta, kundrejt 11 që numëron ekipi teuton, sakaq këto dy përfaqësuese janë në kuotë të barabartë për sa i përket vendeve të dyta, teksa kanë nga 8 medalje argjendi. Kina aktualisht është katapultuar në podium me 9 medalje të arta, ndërsa Shtetet e Bashkuara, Suedia dhe Holanda ndjekin nga prapa me nga 8 medalje të tilla.

Pas dy provave të para të së premtes ditën e shtunë në Yanqing National Sliding Center u zhvilluan edhe dy etapat e fundit të garës dyshe për femra në bobsleigh, disiplinë që dominohet nga sportistet gjermane. Pas shkëputjes së ditës së parë cifti Laura Nolte – Deborah Levi u mjaftua thjeshtë për të administruar avantazhin e krijuar, duke përfunduar garën natyrisht në vendin e parë, me kohën e përgjithshme 4’03”96.

Dyshja tjetër gjermane Mariama Jamanka – Alexandra Burghardt e përfundoi aventurën në këto lojëra me treçerek sekonde vonesë, ndërsa binomi amerikan Elana Meyers Taylor – Sylvia Hoffman plotësoi podiumin.

Rusia fitoi medaljen e gjashtë të artë në Olimpiadën e Pekinit, teksa dominoi garën e 50 kilometrave për meshkuj në cross – country. Në Kuyangshu Nordic Center në kategorinë “mass start freestyle” Alexander Bolshunov fitoi me kohën 1h 11’32”, ndërkohë bashkëkombasi i tij Ivan Yakimushkin kaloi vijën e finishit me 5,5” vonesë, ndërkaq medaljen e bronztë e meritoi norvegjezi Simen Hegstad Kruger. Në Beijing National Aquatics Centre u zhvillua takimi final I meshkujve në curling.

Suedia mundi 5-4 Britaninë e Madhe, duke merituar medaljen e artë, ndërsa podiumi u kompletua nga Kanadaja që mposhti një ditë më parë në finalen e vogël ekipin e Shteteve të Bashkuara me rezultatin 8-5. Në patinazh në konkurrimin e lirë në çift triumfoi Kina, me anë të dyshes Sui Wenjing – Han Cong.

Dyshja kineze që katër vjet më herët në Pyeongchang humbi vendin e parë për thjeshtë gjysmë pike këtë radhë theu rekordin botëror, duke grumbulluar 239,88 pikë gjithsej. Dyshja vendase la prapa tre çiftet ruse që merrnin pjesë.

Kështu vendin e dytë e meritoi binomi Evgenia Tarasova – Vladimir Morozov, ndërsa në pozicionin e tretë u klasifikua çifti tjetër rus Anastasia Mishina – Aleksandr Galliamov. Në Genting Snow Park gara përmbyllëse e meshkujve në disiplinën e freestyle-t u fitua nga Zelanda e Re. Në kategorinë “ski halfpipe” triumfoi 20-vjecari nga Hamiltoni Nico Porteous, që la prapa dy sportistët nga Shtetet e Bashkuara David Wise e Alex Ferreira, të cilët ndanë respektivisht vendin e dytë dhe të tretë.

Dy finalet e tjera të ditës u zhvilluan në National Speed Skating Oval të Pekinit, në disiplinën e garave të shpejtësisë. Kështu në kategorinë “mass start” për meshkuj pas 16 xhirove fitoi belgu Bart Swings, që mbajti prapa përkatësisht dy sportistët nga Korea e Jugut Chung Jae – won dhe Lee Seung – hoon.

Po në të njëjtën disiplinë në kategorinë “mass start” për femra triumfoi sportistja holandeze Irene Schouten. Kanadezja Ivanie Blondin u pozicionua në vendin e dytë, ndërsa sportistja italiane Francesca Lollobrigida plotësoi podiumin, duke merituar medaljen e bronztë.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency