Çela: Më pëlqeu agresiviteti i ekipit, episodet si ai me Gjumsin nuk duhet të ndodhin
Emiliano Çela u shfaqë mjaft i kënaqur me atë që bëri skuadra e tij në fushë ndaj Tiranës, teksa deklaroi se për vetë emrat që ka në organikë, ekipi mund të rritet edhe më shumë. Tekniku i kqeurutanëve komentoi edhe episodin me Gjumsin, që u godit nga tifozët.
“Ne kemi punuar vazhdimisht për t’u përmirësuar si ekip dhe sidomos te disa futbollistë, që kishin pak minuta në këmbë. Unë mendoj se Hasani nuk është akoma në më shumë se 60-70% të nivelit të tij. E presim të përmirësohet akoma më shumë. Sa i përket brazilianit Kaina, mund të them se ka masë muskulore të madhe dhe i duhej pak për të arritur ritmin e duhur. Mendoj se do të përballemi si të barabartë me çdo kundërshtar.
Nuk kemi pasur synim të acarojmë kundërshtarin, por thjesht ishim agresivë në të gjithë fazat e lojës. Pasi kaluam në avantazh, sigurisht që do të punonim për ta dërguar lojën aty ku donim ne.
Më vjen keq për atë që ndodhi me Gjumsin, pasi janë episode që nuk duhet të ndodhin absolutisht, Unë shkova poshtë tribunës dhe u kërkova tifozëve të mos na prishin punë. Ne jemi profesionistë dhe një papërgjegjshmëri e dikujt, na prish punë. Megjithatë një incident i ngjashëm na ndodhi edhe neve me Nezirin, poshtë tribunës së tifozëve të Tiranës.



