Featured

Egnatia ndryshon “prefiks”/ Mbijetesa, më e luftuar se kurrë

Dy muaj pritje, por Egnatia-s i mjafton vetëm një fitore, për të lënë zonën e mbijetesës të paktën për këtë javë. Suksesi në shtëpi ndaj Skënderbeut, përballë një kundërshtari direkt, ishte mëse i merituar dhe tani rrogozhinasit shohin dritë në fund të tunelit dhe pse asgjë nuk ka përfunduar. E konsideruar si finalja e parë në zonën e mbijetesës, Egnatia mori pikët e plota duke parakaluar në renditje jo vetëm Skënderbeun, por edhe Dinamon dhe tani pozicionohet në vendin e shtatë me 19-të pikë.

Shumë pak diferenca, një luftë e fortë në zonën më të ftohtë të kalsifikimit dhe tani mbijetesa merr tjetër nuancë, pasi suksesi i skuadrës së Ramadanit, jo vetëm ndryshon kursin e rrogozhinasve, por tani ndryshon totalisht panoramën në fundin e tabelës. Një sezon me shumë luhatje dhe vështirësi, ambientimi dhe përshtatja në një habitat deri diku të panjohur për rrogozhinasit, të cilët pas 16 vitesh u rikthyen në elitën e futbollit shqiptar, tani po provon të shpëtojë sezonin, për të evituar rënien dhe rikthimin e menjëhershëm në Kategorinë e Parë. Fitorja përballë korçarëve ishte një tregues i vërtet, i forcës, por edhe i dëshirës për të shpëtuar këtë sezon. Vetëm katër fitore sezonale, por e fundit, vlen më shumë se tre pikë dhe për më tepër është edhe një “antipastë” përpara finales së radhës, atë ndaj Kastriotit.

Suksesi i fundit i rrogozhinasve ishte ndaj Teutës, në sfidën e fundit për vitin 2021 dhe deri në atë përballje, Egnatia kishte koleksionuar vetëm dy pikë. Skuadra e Ramadanit, tani llogaritë i bën me Dinamon, Kastriotin dhe Skënderbeun, ndërsa në 5 ndeshjet direkte përballë këtyre rivalëve, Egnatia ka koleksionuar 9 pikë. Përballë Skënderbeut në tre ndeshje, i ka provuar të gjitha, një fitore, një barazim dhe një humbje, ndërsa ndaj Kastriotit në dy takime ka arritur të marrë vetëm një fitore, ndërsa ndaj “bluve” të kryeqytetit, Egnatia nuk ka shkuar më shumë se dy barazime.

Në një fazë të tillë është e vështirë për të bërë parashikime apo për të veçuar një skuadër në zonën e mbijetesës, pasi diferencat janë shumë të vogla, ndërsa javën e ardhshme, në Rrogozhinë do të zbarkojë Kastrioti, që ka pasur një rritje në këtë fillim viti dhe Egnatia do të kërkojë përsëri maksimumin, për të shfrytëzuar edhe faktorin fushë.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency