Pas Reali-t dhe Chelsea-t, Arsenal futet në garë për Alvaro Morata-n
Alvaro Morata është në huazim te Juventus për të dytin vit radhazi, por kjo periudhë e tij në Torino nuk ka rezultuar shumë e suksesshme, pasi sulmuesi ka shënuar vetëm pesë gola në Serie A. Duket se e ardhmja e tij te “Zonja e Vjetër” është e pasigurt dhe dyshimet për këtë janë ngritur që në janar kur Juventus afroi në skuadër Dushan Vlahovic.
Mediat britanike raportojnë se Arsenali ka shfaqur interes për të nënshkruar me spanjollin që në merkaton e dimrit, por marrëveshja mes klubeve nuk u arrit. Mes shumë lojtarëve të tjerë që Arsenali është i interesuar, Morata mbetet kryesori që “The Gunners” ka në fokus për të afruar në merkaton e verës.
Barcelona nga ana tjetër ka treguar interes për sulmuesin spanjoll dhe oferta për ta bërë atë pjesë të ekipit do jetë e hapur. Megjithatë edhe pas interesimit që disa klube kanë shfaqur për Morata-n, ai ende nuk e ka vendosur nëse do të largohet nga Juventus-i këtë sezon.
29-vjeçari ka një CV shumë të pasur. Ai ka fituar Champions League dhe Europa League dhe gjithashtu ka fituar tituj në Spanjë dhe Itali me klube si Real Madrid, Juve dhe Chelsea.



