Dinamo pa busull, tri ndeshje pa shënuar, tani rrezikon rënien
Një sezon i cili nisi me objektiva madhorë për Dinamon, por tani misioni i vetëm i bluve të kryeqytetit është mbijetesa. Humbja në “Elbasan Arena”, në javën e 21-të përballë Teutës ishte një goditje e fortë për Dinamon, që tashmë është në ujëra të turbullta, në zonën e mbijetesës, në vendin e 8-të me 19 pikë.
Katër humbje radhazi midis kampionatit dhe kupës, asnjë gol i shënuar, janë treguesit e vërtetë për krizën e skuadrës nga kryeqyteti, që tani është në kolaps të vërtetë. Në pesë ndeshjet e fundit në Abissnet Superiore, Dinamo jo vetëm nuk ka fituar, por ka humbur terren përballë rivalëve të drejtpërdrejtë, pasi në këto javë është mundur nga Kastrioti dhe ndaj Egnatias nuk shkoi më shumë se një barazim. Edhe ndryshimi i pankinës, me largimin e teknikut Shkëmbi, i cili kishte ideuar të gjithë skuadrën, nga fillimi i sezonit, me merkaton, por edhe me përgatitjet e fillim sezonit, duket se nuk ka bërë punë në kampin dinamovit, që edhe me Devollin në krye nuk kanë ende një “recetë” për të dalë nga kriza, që ka pushtuar skuadrën.
Katër fitore, e fundit në 19 janar ndaj Kukësit, shtatë barazime dhe dhjetë humbje, janë shumë edhe për një skuadër që pretendon mbijetesë, ndërsa Dinamo kishte tjetër horizont në fillimin e këtij edicioni, edhe pse u rikthye pas 10 vitesh mungesë në elitën e futbollit shqiptar.
Si të mos mjaftonte ecuria e dobët e javëve të fundit, Dinamo sheh përpara një kalendar shumë të vështirë, pasi në fundjavë përballë do të jetë Partizani, në derbin e kryeqytetit, e më pas Vllaznia, ndërsa java 24-t i rezervon një “finale” përballë Skënderbeut. Javë vendimtare, kundërshtarë të vështirë dhe të drejtpërdrejtë, por Dinamo tani duhet të mendojë vetëm për të ndryshuar kurs, përndryshe problemet e fundtabelës do të jenë më të mprehta.



