Kategoria Superiore

Kukësit i mungon vazhdimësia, verilindorët i pret një kalendar i ashpër

Kukësi tregoi shumë pak në ndeshjen me Laçin duke marrë një tjetër humbje përballë një rivali direkt, megjithatë diferenca me kreun mbetet e njëjtë, për shkak se Tirana kryesuese gaboi ndaj Kastriotit. Skuadra e Diego Longos ka marrë vlerësimin maksimal për stilin e lojës dhe për agresivitetin që tregon në manovrat sulmuese, por në anën tjetër, rezultatet janë ato që vlejnë dhe në këtë pikë verilindorëve u u ka munguar vazhdimësia.

Skuadra kuksiane e ka pasur të vështirë që të regjistrojë disa rezultate pozitive radhazi, teksa në këtë edicion vetëm në një rast ka arritur që të marrë 3 fitore radhazi. Në pesë skuadrat e para të Abissnet Superiores Kukësi ka mbrojtjen më të brishtë teksa ka pësuar 24 gola, më shumë se katër ekipet e tjera, megjithatë duhet theksuar se 7 prej tyre i ka pësuar në katër javët e fundit ndaj Laçit dhe Tiranës.

Trajneri Diego Longo beson se diferenca me bardheblutë mund të ngushtohet duke nisur që nga kjo kjo javë për shkak se dy skuadrat e renditura të parat do të përballen mes tyre, por në anën tjetër kalendari do të jetë i ashpër për verilindorët.

Kuksianët do të ndeshen me kampionët e Teutës këtë fundjavë, do të vizitojnë Partizanin ndërsa më pas do të presin Vllazninë, përballje relativisht të vështira duke marrë në konsideratë faktin se bëhet fjalë për ekipet që ndodhen në gjysmën e sipërme të renditjes.  Aktualisht Kukësi ndodhet në vendin e tretë, me 37 pikë.

 

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency