Analizë Superiore/ Te Teuta shënoi një veteran, por më i miri ndeshjes shpallet një adoleshent
Në emisionin Analizë Superiore në Supersport nën drejtimin e moderatorit Sokol Xhihani dhe me prezencën e videonalistit të kombëtares U19, Fatjon Bardhi janë vendosur nën lupë paraqitjet e lojtarëve në javën e 21-të të Abissnet Superiore.
Kështu, në ndeshjen mes Teutës dhe Dinamos ku triumfues dolën bregdetarët me rezultatin 1-0, falë golit të Emiljano Vilës, në fushë u dallua 17-vjeçari i portës Endri Dema. Ky i fundit nuk ishte parashikuar të luante titullar, mirëpo dëmtimi i numrit një të portës, Pano Qirko bëri që trajneri Renato Arapi t’i besonte gardianit të ri.
Dhe, në fakt, Dema nuk e humbi mundësinë për të treguar vlerat ndërsa u përzgjodh edhe si njeriu i ndeshjes. Dema ishte deçiziv për të ndalur sulmet e Dinamos ndërsa realizoi katër pritje në total dhe nga këto tre ishin vendimtare. Në këtë formë, 17-vjeçari bëri një prezantim të denjë në paraqitjen e parë në Superiore duke i dhënë garanci Teutës për ndeshjet e radhës në kampionat.




