Formula 1 braktis Rusinë: Ne garojmë për të bashkuar njerëzit dhe kombet!
Formula 1 përgatitet të nisë sezonin e ri, ndërsa gara e parë është planifikuar të jetë ajo e datës 25 mars në Katalonjë. Mirëpo, edhe bota e sportit është duke ndjekur me vëmendje zhvillimet në luftën që Rusia i ka hapur Ukrainës, ndërsa Federata Ndërkombëtare e Automobilizmit (FIA) ka bërë të ditur se Formula 1 nuk do ta zhvillojë këtë sezon garën e Çmimit të Madh në Rusi.
Ishte planifikuar që makinat të preknin pistën e Sochit fundjavën e datës 23-25 shtator, megjithatë tashmë diçka e tillë nuk do të ndodhë. FIA në një njoftim zyrtar të sajin thekson se Formula 1 ka si objektiv të garojë për të bashkuar njerëzit dhe kombet, duke dalë kështu hapur kundër asaj që Rusia po bën me Ukrainën.
Reagimi nga FIA:
Po shohim me trishtim atë që po ndodh në Ukrainë, jemi të shokuar dhe shpresojmë që të ketë një kthesë ku paqja të rikthehet sërish. Të enjten në mbrëmje, FIA dhe skuderitë përkatëse diskutuan mbi pozicionin që sporti jonë do të mbajë dhe nga konkluzioni rezultoi se ëstë e pamundur që në këtë sezon të garojmë në Rusi. Vizioni i FIA-s është që të bashkojë njerëzit dhe kombet duke përçuar pozitivitet”, mbyll deklaratën e saj FIA.



