VAR-i fal City-n, goli i Foden lë pa pikë Evertonin
Manchester City ia del me shumë vështirësi, pse jo dhe me fat, të marrë tri pikë në transfertë me Evertonin. Skuadra e Pep Guardiolës, që vinte pas disfatës 2-3 në “Etihad” ndaj Tottenhamit, shpëtoi nga një lloj minikrize falë golit të shënuar nga Phil Foden në minutën e 82-të, pas një shpërqendrimi të pakuptimtë të mbrojtjes.
Skuadra e drejtuar Frank Lampard u mundua të reagonte menjëherë, por krah Toffees nuk ishte sistemi VAR, që nuk e konsideroi të parregullt prekjen me dorë të topit nga Rodri. Kryesori Paul Tierney edhe pas konsultimit që zgjati rreth tri minuta nuk mori direktiva për të drejtuar gishtin nga pika e bardhë e penalltisë. Më këtë sukses Manchester City shkon në kuotën e 66 pikëve, gjashtë më shumë se Livepooli, që ka një ndeshje më shumë për të zhvilluar në kampionat, luan këtë të diel në finale Carabao Cup ndaj Chelsea-t.



