Vllaznia ekipi më i “skuqur”, nervat halli më i madh i Brdaric
Barazimet janë kthyer në një makth për ekipin e Vllaznisë që nga 22 ndeshjet që ka zhvilluar në gjysmën prej tyre ka arritur që të marrë vetëm nga një pikë. Shkodranët ndodhen aktualisht në vendin e katërt të renditjes, teksa janë në garë për një vend në Kupat e Evropës, por pikërisht mungesa e vazhdimësisë ka bërë që të mbeten pas ekipeve kryesuese, pavarësisht ambicieve të tyre për të rivalizuar për titull në fillim të sezonit.
Problemi më i madh i ekipit të Thomas Brdaric duket se janë mungesat për shkak kartonësh. Për të dytën ndeshje radhazi dhe për të shtatën gjatë këtij edicioni, kuqeblutë e mbyllin ndeshjen në inferioritet numerik. Skuadra është detyruar që në gati 1/3 e ndeshjeve këtë edicion të vuajë mungesën e një lojtari në fushën e lojës që nga momenti që janë ndëshkuar me karton të kuq. Krymi, Aralica, Zogovic, Mustedanagic dhe Hakaj janë ndëshkuar direkt me karton të kuq në takimet respektive, ndërsa Adili në dy përballje ka koleksionuar nga dy kartonë të verdhë, duke lënë ekipin e tij me 10 lojtarë.
Vllaznia është ekipi me më shumë kartonë të kuq këtë edicion, së bashku me Teutën që ka të njëjtën shifër, ndërsa nuk mbetet pas dhe për numrin e kartonëve të verdhë, teksa ka marrë 49 kartonë të verdhë. Gurishta është ndëshkuar plot 11 herë me kartonin e verdhë duke humbur 2 ndeshje, ndërsa nga një përballje për shkak të katër të verdhëve kanë humbur dhe Da Silva, Adili dhe Latifi. Natyrisht shifra këto që e kanë penalizuar skuadrën shkodrane, që duhet të tregohet më e kujdesshme në javët e mbetura nëse kërkon që të mos vuajë kaq shumë nga kartonët e gjyqtarëve.



