Dinamo humb “nuhatjen” përpara portës, pesë ndeshje pa shënuar
Një tjetër javë zhgënjyese për Dinamon, që edhe në raundin e 22-të, përballë Partizanit, nuk shkoi më shumë se barazimi 0-0.
Një pikë që nuk ndryshon shumë në klasifikim dhe “blutë” e kryeqytetit janë përsëri në zonën e ftohtë, tashmë në vendin e 8-të, në zonën “Play Out”. Barazimi në derbi erdhi si pasojë e një loje pa vizionin e duhur, ku të besuarit e Devollit krijuan shumë pak, duke regjistruar ndeshjen e katërt radhazi pa shënuar. Një ecuri shumë e dobët, pasi Dinamo, jo vetëm nuk shënon, por tani më, numëron tetë ndeshje pa fitore midis kampionatit dhe kupës, ndërsa në tetë ndeshje ka pësuar rregullisht, me përjashtim të sfidës së fundit, barazimit pa gola ndaj Partizanit.
Tetë ndeshje pa fitore, tetë gola të pësuar, ndërsa “recetën” e golit e ka gjetur vetëm në dy raste, ndaj Egnatias në kampionat dhe Partizanit në Kupë. Në këtë moment, skuadra në pesë javë ka koleksionuar vetëm dy pikë, më keq ka bërë vetëm Skënderbeu.
Vendi i fundit, Skënderbeu është 3 pikë larg, ndërsa një tjetër statistikë që “tradhton” Dinamon është reparti ofensiv, pasi skuadra dinamovite mban me sulmin më të dobët, vetëm 12 gola në 22 javë, më pak se një gol për ndeshje.
20 pikë dhe vetëm katër fitore në këtë edicion, janë shumë pak, që pavarësisht momentit apo tranzicionit, skuadra duhet të reagojë, pasi koha nuk premton dhe tani fundi është shumë afër. Matematika e mban ende në lojë, por numrat dhe statistikat janë kundër Dinamos, po ashtu edhe kalendari.
Në mesjavë, skuadra e Devollit udhëton drejt Shkodrës, në sfidën ndaj Vllaznisë, në një stadium që kujtimet i ka të errëta, pasi në fazën e parë, shkodranët fituan bindshëm 6-3. Më pas, një takim që vlen të gjithë sezonin, ndaj Skënderbeut, ndërsa pas derës janë edhe Kukësi e Tirana deri përpara ndalesës së kampionatit.



