Seferi ka një mesazh për Skukën para derbit: Ne jemi gati, na penalizoi fusha
Taulant Seferi ishte lojtari i ndeshjes në sfidën mes Teutës dhe Tiranës, teksa sulmuesi i bardhebluve shënoi të dy golat e ndeshjes. Pas sfidës, në emisionin Gol Pas Goli në Supersport, Seferi theksoi se skuadra e tij është gati për derbin ndaj Partizanit, ndërsa shtoi se patën vështirësi në terrenin e Elbasan Arenas edhe pse shtoi se do të adaptohen me atë terren pasi mund t’i luajnë aty ndeshjet shtëpiake në vazhdim pasi Air Albania mund të mbyllet për t’u përgatitur për finalen e Ligës së Konferencës në muajin maj.
Mesazh për Skukën: “I uroj sukses dhe shpresoj që aty të fitoj më i miri. I them Skukës se ne jemi gati”.
Gabimi i portierit Dema në rastin e golit të parë e ndihmoi skuadrën- “Ai goli i parë na bëri mirë, por fusha na ka ndaluar të bëjmë lojën tonë dhe nuk arritëm të luajmë shpejt topin. Besoj se kemi fituar me meritë”.
Nuk do luani më në Air Albania? “Do të adaptohemi dhe besoj se edhe ndeshjet e tjera do t’i bëjmë në Elbasan”.
A mendon që çfarëdolloj rezultati në derbi nuk do të ndërpresë sezonin e Tiranës? “Çdo ndeshje për Tiranën është me rëndësi dhe do të shkojmë për të marrë maksimumin”, u shpreh Seferi.



