Kategoria Superiore

Fitore me kosto për Vllazninë, tre titullarë humbin ndeshjen me Kukësin

Pas dy barazimesh radhazi në transfertat ndaj Partizanit dhe Skënderbeut, ku pati jo pak ankesa edhe për arbitrimin, Vllaznia ia doli të rikthehet te fitorja, duke mposhtur me rezultatin 2-1 Dinamon.

Latifi kaloi në avantazh kuqeblutë në pjesën e parë, me një penallti të fituar dhe kthyer në gol nga vetë ai, ndërsa në fillim të pjesës së dytë ishte Aralica që shënoi golin e dytë, duke u zhbllokuar pas shumë javësh “thatësirë”.

Megjithatë pas këtij momenti shkodranët komplikuan jo pak ndeshjen, pasi i lëshuan terren Dinamos dhe jo vetëm rrezikuan të lëshonin fitoren nga duart, por humbën edhe tre titullarë për sfidën e ardhshme ndaj Kukësit.

Mevlan Adili e Fjoart Jonuzi u ndëshkuan për faulle naivë dhe të panevojshëm në fushë, duke plotësuar numrin e të verdhëve, teksa edhe më i çuditshëm ishte kartoni i marrë nga Erdenis Gurishta në pankinë, për shkak të largimit të një topi.

Të tre këta futbollistë nuk do të japin kontributin e tyre në transfertën ndaj Kukësit në “Elbasan Arena” pasditen e të hënës, në një ndeshje direkte për Europën, mes dy skuadrave që ndajnë vendin e tretë me nga 38 pikë.

Kjo ka për t’i shkaktuar jo pak dhimbje koke trajnerit Thomas Brdariç, që përballjen me verilindorët do të duhet ta përgatisë pa tre nga pikët më të forta të formacionit dhe do të duhet të improvizojë diçka.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency