Rivaliteti Donnarumma-Navas, PSG tashmë e ka bërë zgjedhjen
Dualizmi mes Gianluigi Donnarummas dhe Keylor Navas mbetet një “patate e nxehtë” te PSG. Mauricio Pochettino nuk mori një vendim përfundimtar, duke alternuar ish-in e Milanit me ish-in e Real Madridit si në kampionat, ashtu edhe Champions League.
Sigurisht që nuk është ajo që priste Donnarumma kur u largua nga Italia, aq më tepër pasi zhvilloi një Kampion Evropian si protagonist absolut, duke fituar madje edhe çmimin e lojtarit më të mirë të turneut.
Megjithatë, gjërat mund të ndryshojnë në fund të sezonit aktual. Pavarësisht se marrëdhënia mes dy rivalëve është e mirë, as Donnarumma dhe as kostarikani nuk duan të përjetojnë një tjetër dualizëm si ky aktuali, ndaj klubi duket i orientuar për të bërë një zgjedhje, e cila do të çojë në shitjen e Navasit. Këtë e parashikon shtypi spanjoll dhe në veçanti “Don Balon”. Paraqitjet e fundit të Donnarummas në fakt kanë kënaqur plotësisht edhe vetë Pochettino, qëndrimi i të cilit në stolin e PSG-së sezonin e ardhshëm nuk është i sigurt.
Ish-lojtari i Milanit tashmë e ka kaluar “periudhën e provës”, kështu që Navas duket se e ka kuptuar se kohës së tij në Francë i ka ardhur fundi pas tri sezonesh plot trofe, pavarësisht rinovimit të kontratës deri në prill të 2024, të nënshkruar vetëm vitin e kaluar.
E ardhmja e Navas mund të jetë në Premier League dhe më saktë te Newcastle, klub i cili do të jetë një nga protagonistët e merkatos së verës së ardhshme.



