Abramovich në Turqi me avion privat për të shitur Chelsea-n
Avioni privat i Roman Abramovichit, sikurse njofton “Daily Mail”, u ul në Turqi të mërkurën dhe arsyeja e kësaj vizite në kryeqytetin Ankara ishte negociata me miliarderin turk, Mushin Bayrak, për t’i shitur atij Chelsea-n. Abramovich dëshiron të shesë klubin londinez për një shifër afër 4 miliardë euro, shumë të cilën ka premtuar se do ta shpenzojë për viktimat e luftës në Ukrainë.
Pronari i Chelsea-t raportohet gjithashtu se nuk do të kërkojë huatë e dhëna klubit gjatë dy dekadave të fundit, të cilat kapin shifrën 2 miliardë euro. Pra synimi i tij më imediat është të heqë qafe skuadrën blu. Kandidati kryesor për ta blerë është pikërisht miliarderi turk Bayrak.
Pra, nuk është për t’u habitur që avioni Gulfstream G650ER i Abramovichit, me vlerë 60 milionë euro, u ul në Ankara, kryeqyteti turk. Vetë Bayrak, me një pasuri të vlerësuar prej 10 miliardë euro, pranoi se së shpejti do të udhëtonte për në Londër.



