Iniciativa e Shevchenkos, fëmijët ukrainas të larguar nga lufta, në akademitë angleze
Premier League ka vendosur të ndihmojë fëmijët ukrainas që janë arratisur nga vendi i tyre për shkak të invazionit rus. Lajmin e ka dhënë ish-futbollisti i famshëm i Milanit dhe Chelsea-t, Andriy Shevchenko, sipas të cilit, bëhet fjalë për akomodimin e fëmijëve të refugjatëve që kanë qenë të regjistruar në akademitë e futbollit në vendin e tyre.
Që kur Rusia filloi pushtimin e Ukrainës, më shumë se 1.3 milionë civilë janë larguar, kryesisht në Poloni dhe Rumani. Ata u detyruan të linin gjithçka pas, madje edhe të braktisnin makinat e tyre dhe të ecnin në këmbë për orë të tëra për t’iu larguar rrezikut.
Liga angleze është solidarizuar me Ukrainën këtë fundjavë, me sloganin “Futbolli na mban të bashkuar”, të shpërndarë nëpër terrene dhe me një minutë duartrokitje para fillimit të ndeshjeve.
Tani futbollisti ukrainas më i mirë i të gjitha kohërave ka zbuluar se ai është në qendër të planeve për të siguruar që fëmijët nga vendi i tij të mund të vazhdojnë të luajnë futboll.
“Në Britaninë e Madhe, të gjitha klubet e futbollit janë solidarizuar me Ukrainën”, – tha Shevchenko për kanalin televiziv ukrainas 1+1, siç raportohet nga Zorya Londonsk. – “Ato janë të gatshme të pranojnë fëmijë ukrainas që të stërviten në akademitë e klubeve të Premier League. Tani do të zhvillohen një sërë negociatash për të zyrtarizuar dokumentet. Ne do të përpiqemi ta bëjmë këtë shumë shpejt. Jam në kontakt me Federatën Angleze. Do të hapen kampet sportive. Duhet bërë gjithçka në mënyrë që fëmijët që largohen nga qytetet e Ukrainës të mund të stërviten ose në territorin e Ukrainës perëndimore, ose në vendet e tjera.”



