Ish-trajneri i Man. United “dashurohet” me Brojën, gati oferta për Chelsea-n
Armando Broja vijon të bindë nga java në javë me fanellën e Southamptonit, teksa deri tani ka shënuar 9 gola në 27 ndeshje me fanellën e “Shenjtorëve”, duke bërë që shumë klube angleze të kërkojnë shërbimet e tij.
Futbollisti shqiptar është në pronësi të Chelsea-t dhe së fundi për të ka shfaqur interes edhe West Ham-i i David Moyes, që vetëm pak ditë më parë u bë “viktimë” e Brojës në FA Cup, pasi sulmuesi u fitoi një penallti dhe u shënoi një gol, duke i eliminuar nga kupa.
Tekniku skocez, Moyes ka mbetur i mahnitur nga cilësitë e Brojës dhe e ka kërkuar menjëherë nën urdhrat e tij, ndaj drejtuesit e West Hamit janë vënë në lëvizje për t’i plotësuar dëshirën, duke formuluar edhe ofertën e parë në drejtim të Chelsea-t.
Kështu sipas mediave angleze, West Hami ka shprehur gatishmërinë të paguajë 25 milionë paundë për kartonin e Brojës dhe në të njëjtën kohë, t’i lërë Chelsea-t të drejtën e parablerjes për shifrën e 40 milionë paundëve, në tre sezonet e ardhshme.
Kjo ofertë duket mjaft e leverdisshme për “blutë e Londrës”, që në këtë mënyrë nuk e humbin kontrollin mbi kartonin e Brojës dhe në të njëjtën kohë, arkëtojnë një sasi të konsiderueshme parash për një futbollist të rritur në ekipet e moshave.



