Newcastle trondit Southamptonin/ Wolves dhe Aston Villa mbajnë portat të paprekura
Newcastle vijon të marrë rezultate pozitive, ndërsa mbrëmjen e sotme ka fituar në transfertë me rezultatin 1-2 ndaj Southampton.
Kjo sfidë u zhbllokua në minutën e 25’, kur Armstrong i dha avantazhin ekipit të tij. Megjithatë ky gëzim zgjati vetëm shtatë minuta, pasi në minutën e 32’ Wood barazoi rezultatin. Pjesa e parë u mbyll 1-1, teksa goli i përmbysjes erdhi në minutën e 52’, kur Guimaraes shënoi golin e dytë për Newcastle. Raste për të shënuar pati edhe sulmuesi i kombëtares shqiptare, Armando Broja, por që nuk ia doli t’i shfrytëzonte siç duhej.
Skuadra e sheikëve vijon ecurinë pozitive duke fituar ndeshjen e tretë radhazi dhe duke numëruar tetë takime pa humbje, rezultate që e bëjnë të renditet në vend të 14 me 31 pikë, teksa Southampton qëndron në vend të 10 me 35 pikë të grumbulluara.
Nga ana tjetër Wolves ka bërë “poker” golash ndaj Watford. Ndeshja është dominuar e gjitha nga vendasit, me golin e parë që u shënua në minutën e 13’ nga Jimenez. Pesë minuta më pas autogoli I Cuchos do të dyfishonte rezultatin për “ujqërit”, ndërsa goli i tretë u shënua nga Podence në minutën e 21-të, me pjesën e parë që u mbyll me rezultatin 3-0.
Në fraksionin e dytë ky takim erdhi disi më i qetë dhe goli i vetëm i kësaj pjese u realizua në minutën e 85’ nga Neves, i cili vulosi dhe rezultatin final. Wolves renditet kështu në vend të tetë me 43 pikë, teksa Waford qëndron I 19-ti me 19 pikë.
Aston Villa nga ana e saj ka fituar në transfertë me rezultatin 0-3 ndaj Leeds United. Goli i parë u realizua në minutën e 22’ nga Coutinho, me pjesë e parë që u mbyll me rezultatin 0-1. Ndërsa goli i dytë erdhi në minutën e 65’ kur Cash goditi rrjetën e vendasve, më pas Chambers trefishoi rezultatin në minutën e 73’ të ndeshjes.
Pas kësaj sfide Aston Villa renditet e nënta me 36 pikë, teksa Leeds renditet në vend të 16-të me 23 pikë të grumbulluara.



