“Të dukshme lidhjet e Abramovich me Putin”, qeveria britanike: Blerja e Chelsea? Na kontaktoni
“Kush dëshiron të blejë klubin e Chelsea duhet të na kontaktojë ne dhe të bëjë propozimet e tyre”, ka deklaruar Chris Philp, ministri britanik i teknologjisë, pas ngrirjes së aseteve të Roman Abramovich, si një nga oligarkët e afërt të Vladimir Putin.
“Meqë kushtet e licencës u shkruan sot, shitja nuk do të lejohej. Megjithatë, nëse del një blerës, do të ishte e mundur që ai blerës ose klub futbolli të shkojë në qeveri dhe të kërkojë ndryshimin e kushteve për të lejuar shitjen”, theksoi Philp.
Qeveria angleze ka ndalur planin e bosit rus për të shitur Chelsea, veprim nga i cili priste të përfitonte rreth 3 miliardë paund. Klubit londinez i është dhënë një licencë speciale për të vazhduar aktivitetet e lidhura me futbollin.
Vendimi për të ngrirë asetet e Abramovich lidhet me faktin se ai është i lidhur me një person që është ose ka qenë i përfshirë në destabilizimin e Ukrainës dhe në dobësimin dhe kërcënimin e integritetit territorial, sovranitetit dhe pavarësisë së Ukrainës.

Përkatësisht Vladimir Putin, me të cilin Abramovich ka pasur marrëdhënie të ngushta për dekada. Kjo marrëdhënie interesi e ka lejuar atë të marrë përfitime financiare ose përfitime të tjera materiale nga Putini dhe qeveria e Rusisë.
Ndërkohë, kryeministri Boris Johnson ka shpjeguar sanksionet e aplikuara ndaj oligarkëve rusë, mes tyre edhe Roman Abramovich. “Duhet të jemi shumë të kujdesshëm, e drejta e pronësisë është diçka që ligji britanik e merr vërtet seriozisht.
Ne përshpejtuam procesin e sanksioneve, por nevojiten prova të qarta për të piketuar njerëzit e afërt me Vladimir Putin. Mund të them se kishte prova të qarta të lidhjeve midis oligarkëve të prekur dhe Putinit. Kur shohim bombardimin e një spitali për fëmijë, ne nuk mundemi të mos sanksionojnë njerëzit e afërt me ata që janë përgjegjës për këto ngjarje”, deklaroi kryeministri britanik.

Sa e njihni La Ligën?
Testoni njohuritë tuaja mbi kampionatin spanjoll...



