Në kërkim të kthesës, Laçi vuan gjetjen e golit
Barazimi me Skënderbeun ishte i treti radhazi për Laçin, që nuk fiton prej katër ndeshjesh duke lëshuar shumë terren ndaj Tiranës. Kurbinasit e shohin veten aktualisht 10 pikë pas bardhebluve, të cilët kryesojnë kampionatin dhe duke parë ecurinë e të besuarve të Orges Shehit, duket e vështirë që të ketë llogari për titullin.
Synimi i skuadrës së Mirel Josës tani do të jetë që sa më parë të sigurojë vendin e dytë, pozicion që nuk e ka arritur asnjëherë më parë e padiskutim që do të ishte sukses i madh, pasi do të merrte një biletë për në Kupat e Evropës, për të vijuar traditën që ka nisur prej një dekade, me bardhezinjtë që janë pjesëmarrës të rregullt në garat ndërkombëtare.
Megjithatë, ecuria në javët e fundit nuk ka qenë shumë e mirë, me Laçin që po has vështirësi në marrjen e rezultateve pozitive, por dhe në gjetjen e golit. Goli me 11-metërsh i Shehut ndaj Tiranës dhe realizimi i Guindos përballë Kastriotit janë dy golat e vetëm të shënuar nga bardshezinjtë në 4 ndeshjet e fundit në Abissnet Superiore.
Sfida e radhës do të jetë në shtëpi me Teutën, që në këtë sezon Laçi i ka marrë 6 pikët e plota. Një fitore do të sillte kthesën për kurbinasit, që krahas kampionatit ndodhen dhe në Kupën e Shqipërisë në garë për të marrë një trofe këtë edicion. Teuta është edhe rivali i ekipit të Josës për një vend në finalen e madhe.
Sa e njihni La Ligën?
Testoni njohuritë tuaja mbi kampionatin spanjoll...



