Kategoria Superiore

Tirana “flirton” me titullin e 26-të, rekordet që mund të barazojnë “bardheblutë”

Diferenca mes Tiranës dhe Laçit u thellua edhe më shumë në javën e 25-të të “Abissnet Superiore”. “Bardheblutë” triumfuan në klasiken e futbollit shqiptar ndaj Vllaznisë me rezultatin 1-2, ndërkohë që ndjekësit e Laçit nuk u përgjigjën në të njëjtën formë ndaj Skëndërbeut, ku u ndalën në një barazim pa gola, për ta çuar diferencën ndërmjet tyre në 10 pikë.

Kryeqytetasit kanë vendosur veton në kampionat me 17 fitore, 5 barazime dhe vetëm 3 humbje. Plot 56 pikë të grumbulluara që i japin ekipit të Orges Shehit komoditetin e duhur për javët në vijim. Duke qenë se Tirana ka ruajtur nivelin konstant të paraqitjeve nga starti i edicionit deri më tani, kanë mundësinë që të përsërisin edhe disa rekorde të famshme të historisë së artë bardheblu.

Trajneri i fundit që e niste sezonin në krye të kryqytetasve dhe e mbyllte në fund me kurorën e titullit kampion ishte Sulejman Starova në edicionin 2004-2005. Orges Shehi që u emërua në pankinën e 25 herë kampionëve në 27 Janarin e vitit të kaluar është shumë pranë përsëritjes të të njëjtit sukses.

Tekniku 44-vjeçar e mori në një situatë komplekse skuadrën asokohe, ndërkohë që me kalimin e kohës implementoi idetë dhe filozofinë e tij, ndihmuar edhe nga transferimet e goditura në merkaton e verës për të formuar një skuadër të denjë për titullin kampion.

Starova jo vetëm që i dha titullin e 22-të Tiranës në edicionin 2004-2005, por vendosi edhe një kuotë rekord prej 84 pikësh të grumbulluara përgjatë sezonit, që vijon të mbetet në fuqi edhe sot e kësaj dite.

Tirana e Orges Shehit ka koleksionuar 56 pikë ndërsa kanë mbetur edhe 11 javë për t’u luajtur, rekordi mbetet larg por aspak i pamundur për një skuadër që ka në organikë sulmin dhe njëkohësisht mbrojtjen më të mirë. 47 gola të shënuar dhe 17 të pësuar, “bardheblutë” kanë dëshmuar se kanë kualitetet e duhura për t’i konkluduar me sukses ambiciet e tyre maksimale. Jo vetëm në planin ekipor por edhe në aspektin individual, “bardheblutë” mund të barazojnë rekorde të rëndësishme.

Taulant Seferi kryeson listën e golashënuesve me 14 gola vetëm 2 më shumë se Guindo i Laçit. Lojtari, i cili nënshkroi përfundimisht me “bardheblutë” për tre sezone në verën e shkuar, ka spikatur me performancat sublime duke marrë edhe stafetën e protagonistit. Nëse vijon në këto ritme dhe e mbyll sezonin si krye-golashënues do bëhej lojtari i parë i Tiranës që prej sezonit të largët 2008-2009 që fiton Këpucën e Artë. Asokohe, ishte Migen Memelli, që si trajner sapo mbylli bashkëpunimin me Skëndërbeun, që fitonte çmimin individidual në titullin e 24-të të Tiranës me 22 gola të shënuar.

Seferi ka mbajtur denjësisht peshën e sulmit deri në këtë pikë të sezonit ku së bashku me Xhixhën kanë kontribuar në pjesën më të madhe të realizimeve. 11 finalet e mbetura, “bardheblutë” do tentojnë me çdo kusht t’i finalizojnë me sukses, për të shënjuar një tjetër etapë të lavdishme të historisë së tyre 102 vjeçare.

 

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency