U rizgjodh në krye të FSHF-së, Duka: T’i lëmë ofendimet dhe ndërhyrjet e politikës, futbolli vendosi për veten
Pas fitores për herë të gjashtë të zgjedhjeve për President të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka u shpreh se futbollit vendosi për futbollin, pavarësisht tentativave nga politika për të ndërhyrë.
Duka theksoi se kurrsesi nuk duhet të humbet koha duke sulmuar, por për të kritikuar që të bëhet një punë më e mirë.
“Unë do doja t’i falenderoja edhe njëherë të gjithë për mbështetjen e kësaj kohe elektorale dhe situate jo të zakontë. Mbi të gjitha pas asaj furtune dhe situate jo të zakontë falenderoj edhe njëherë të gjithë familjen e futbollit. Ka qenë një situatë e përzierë politike, unë do të punoj vazhdimisht, por futbolli vendosi për futbollin në të ardhmen. E kam kërkuar në sallë dhe e kërkoj dhe tani të kemi energji pozitive, të mos humbim kohë për të sulmuar padrejtësisht njëri-tjetrin, për kritika kemi gjithmonë nevojë, por të mos humbim kohë me ofendime, ne jemi institucion sportiv dhe me sportivitet do të bashkojmë forcat për të ecur përpara.”-theksoi ai.
Kreu i rizgjedhur i FSHF-së, shtoi ndër të tjera se me Conference League, Shqipëria duhet t’i tregojë botës se është e aftë të bëjë organizime të një rëndësie të madhe.
“Nuk janë më të vështirat por janë më të pazakontat, janë zgjedhje që kanë pasur më shumë sulme nga segmente të politikes, sesa debate dhe programe për të mirën e futbollit. Gjithsesi ne jemi mësuar me aksione dhe me aksion do të arrijmë që finalja e Conference League të jetë e shkëlqyer dhe t’i tregojmë gjithë botës që ne shqiptarët dimë të bëjmë organizime për futbollin.”-shtoi Duka.
Ai theksoi ndër të tjera se përderisa ka fituar edhe këto zgjedhje, kjo do të thotë se projekti që ka paraqitur është më i miri, ndërsa shtoi se ka dhe projekte të përbashkëta me Kosovën dhe Maqedonin137 e Veriut që do të vihen në zbatim së shpejti.
“Ka shumë që thonë pse kaq shumë vite, dikush tjetër mund ta bëjë më mirë punën. Futbolli duhet të vendosë për futbollin, pasi njerëzit investojnë financa e projekte dhe për sa kohë ata që investojnë në futboll mendojnë që ky është projekti fitues atëherë ky duhet të jetë. Kemi bërë që të gjitha përpjekjet që të bashkohemi nëpërmjet lojës, pasi jemi një komb dhe kemi të njëjtën kulturë. Kemi bërë disa kompeticione të përbashkëta, projekti më i madh i yni ishte “Kupa Nënë Tereza”, por që na u ndërpre nga pandemia, por ky projekt duhet të mbarojë. Përshëndes kreun e Federatës së Kosovë Agim Ademin dhe të Maqedonisë së Veriut, Muamed Sejdini.”-deklaroi Armand Duka.



