Nuk rinovon dot me Chelsea-n prej sanksioneve, rikthehet “ankandi” për mbrojtësin gjerman
Sanksionet e vendosura nga qeveria britanike ndaj Roman Abramovichit ndikojnë drejtpërdrejtë programimin e sezonit të ardhshëm nga blutë e Londrës. Skuadra londineze nuk lejohet të nënshkruajë apo rinovojë kontratat e lojtarëve. Andreas Christensen dhe Antonio Rüdiger, edhe nëse do të kenë dëshirë të qëndrojnë në “Stamford Bridge”, nuk mund të firmosin rinovimin e kontratave.
Sipas gazetarit Christian Falk të gazetës gjermane “Bild”, Rudiger kishte gjetur gjuhën e përbashkët me drejtuesit, para se të vinin sanksionet, për kushtet personale të zgjatjes së kontratës së tij.
Sanksionet ndaj Chelsea-t kanë kthyer interesin e klubeve të mëdha në Evropë për mbrojtësin e përfaqësueses së Gjermanisë.
“Pasiguria që rrethon tani Chelsea-n, klub që nuk mund të rinovojë asnjë kontratë, që ka bërë që Manchester United, Reali i Madridit, Paris Saint-Germain dhe Juventusi t’i kthehen garës për mbrojtësin”, shton gazeta gjermane. Falk gjithashtu thekson se për momentin nuk ka pasur kontakte mes Bayernit dhe lojtarit.



