Djokovic rikthehet numri 1 në botë, ndryshon edhe renditja e Nadal
Disfata në Kaliforni i shkaktoi humbjen e parë tenistit të famshëm spanjoll Rafael Nadal për vitin 2022, megjithatë pavarësisht kësaj disfate Rafa ia doli mbanë për të fituar terren në klasifikimin e përgjithshëm, duke u ngjitur në vendin e tretë në renditjen botërore. Në krahun tjetër ndonëse nuk luan fare tenis prej katër javësh u ngjit përsëri në fron Novak Djokovic, që ndërroi sërish vendin me tenistin rus Daniil Medvedev.
Në klasifikimin ATP Nole mori kryesimin për thjeshtë 55 pikë më tepër se sa tenisti rus, pasi në Indian Ëells 26-vjecari moskovit u eliminua që në turin e tretë, duke mos i mbrojtur dot 90 pikët e një viti më parë, kur Medvedev u mund në tre sete në raundin e katërt nga bullgari Grigor Dimitrov, ndërkohë falë 600 pikëve të siguruara në turneun e parë Masters të sezonit tenisti
I mirënjohur iberik kaloi gjermanin Alexander Zverev, duke e nxjerrë Sashën jashtë podiumit. 24-vjecari me origjinë ruse tani pozicionohet në vendin e katërt me vetëm 90 pikë më pak se sa veterani spanjoll, sakaq një tjetër ndryshim i rëndësishëm është edhe ndërrimi i vendeve ndërmjet dy finalistëve të edicionit të kaluar, në turneun tjetër të pagëzuar Sunshine Masters, pra Mastersin e Miami-it.
Bëhet fjalë për dyshen Hubert Hurkacz – Jannik Sinner, me 25-vjecarin nga Wroclawi që ia doli të rikthehet përsëri në Top 10, ndërsa sportisti italian la dhjetëshen e parë dhe rrëshqiti në pozicionin e njëmbëdhjetë, me 39 pikë më pak se sa tenisti polak. Një humbje ndoshta e papritur për Nadalin, që po përjetonte një formë të shkëlqyer, duke u rikthyer në lojën e tij karakteristike. Rafa kishte fituar siguri dhe dukej gati – gati i pamposhtur, falë bilancit të shkëlqyer të këtij sezoni me 20 fitore në 20 ndeshjet e zhvilluara në tre muajt e parë të këtij viti.
35-vjecari nga Manacori do të pushojë për pak kohë dhe sic ka deklaruar që më herët nuk do të marrë pjesë në Mastersin e dytë të sezonit. Është koha kur tenistët më të mirë të këtij sporti zhvendosen nga Bregu Perëndimor në atë lindor të Shteteve të Bashkuara dhe nga dita e hënë në Florida startoi pikërisht Mastersi i Miami-t.
Edicioni i 37 i këtij kompeticioni do të zhvillohet përsëri në Miami Gardens, në Hard Rock Stadium ku më datën 3 prill do të luhet edhe finalja e madhe e këtij aktiviteti. Pra në Miami përvec Noles do të mungojjë gjithashtu edhe spanjolli Rafael Nadal, sidoqoftë në Florida do të jenë tetë tenistë nga dhjetëshja e parë e botës dhe plot 18 nga 20 tenistët më të mirë në planet. Përsa I përket Rafës veterani nga Majorka kryeson renditjen e pikëve të grumbulluara përgjatë vitit 2022 me afërsisht dyfishin e pikëve, krahasuar me vendin e dytë, që mbahet nga rusi Daniil Medvedev në kuotën e 1.720 pikëve.
Nadali ka triumfuar në tre nga katër turnetë ku ka marrë pjesë në këto tre muajt e parë të sezonit, duke grumbulluar 3.350 pikë, gjithsesi edhe në Indian Ëells Rafa u mposht vetëm në takimin përmbyllës, ku fitoi me meritë amerikani Taylor Fritz. Nuk janë mbushur ende as tre muaj në vitin 2022 e megjithatë tenisti i mirënjohur iberik ka përfituar plot 3,12 milionë dollarë. Nadali që nuk kishte fituar asnjë turne që nga mesi I majit të kaluar, kur mundi në tre sete Djokovic-in në finalen e Mastersit të Romës befas krenohet me tre turne të fituar. Bëhet fjalë për Melbourne (Summer Set), Australian Open dhe Acapulco-n në Meksikë.
Në Kaliforni Rafa pati probleme fizike në fundin e finales së humbur me tenistin amerikan, kështuqë mbetet për t’u parë nëse veterani spanjoll do të mbajë premtimin për të mbrojtur titullin në Barcelonë, në fushën qendrore ku është përjetësuar emri i tij, pasi quhet Pista Rafael Nadal. Edicioni I 69 I Barcelona Open në kryeqendrën e Katalunjës do të zhvillohet muajin e ardhshëm, nga data 16 deri më 24 prill dhe Rafa përvecse është kampion në fuqi e ka ngritur lart plot 12 herë kupën e quajtur Trofeo Conde de Godo. Në krahun tjetër me suksesin e arritur në Indian Ëells Taylor Fritz u përmirësua me plot shtatë pozicione në klasifikimin e përgjithshëm, duke u katapultuar nga vendi i 20 në të 13 në renditjen botërore. 24-vjecari nga San Diego bëri realitet ëndrrën e tij më të guximshme, teksa ia doli të triumfojë pikërisht në Mastersin Kalifornian.
Amerikani i fundit që ia kishte dalë për të shkuar deri në finale në Indian Ëells ishte gjiganti John Isner, që në vitin 2012 u mund në vetëm dy sete nga I madhi Roger Federer, ndërsa tenisti i fundit nga Shtetet e Bashkuara që kishte triumfuar në Mastersin e parë të sezonit ishte Andre Agassi, dy dekada më parë, më saktë në vitin e largët 2001, kur mposhti 3-0 rivalin e tij të përjetshëm Pete Sampras. Taylor Fritz krenohej më parë thjeshtë me turneun e fituar në fushat me bar në Eastbourne në vitin 2019, gjithsesi falë suksesit të paimagjinueshëm 6-3, 7-6 në dicka më tepër se dy orë lojë në finalen e turneut prestigjioz të Indian Wells-it 24-vjecari nga Shtetet e Bashkuara futi në xhep cekun e majmë me plot 1,23 milionë dollarë.



