Jo vetëm Dybalan, Juventus do humbasë një tjetër emër këtë verë
Pas lajmeve se Paulo Dybala do të largohet nga Juventus në verë, pasi nuk kanë rënë dakord për kushtet e rinovimit të kontratës, duket se “Zonja e Vjetër” do të humbasë edhe një tjetër emër që është pjesë e klubit prej vitesh tashmë.
Federico Bernardeschi, po ashtu ka vendosur që të largohet me parametra zero nga Juve në verë. Ish-lojtari i Fiorentinës nuk dëshiron që të rinovojë kontratën, pasi oferta e bërë nga klubi italian nuk është aspak e kënaqshme për të.
Juventus pretendon që t’i ulë pagën, teksa 28-vjeçari nga ana e tij do që të ruajë të njëjta fitime, pra 4 milionë euro për sezon.
Ndaj, mediet italiane kanë raportuar mëngjesin e kësaj të mërkure se ashtu si Dybala, edhe italiani nuk do të vazhdojë të jetë më pjesë e Juventus dhe do të largohet sapo t’i mbarojë kontrata.
Bernardeschi kaloi nga Fiorentina te Juventus në vitin 2017 dhe në atë periudhë u konsiderua edhe si një nga talentet më të mira të asaj periudhe. Duhet theksuar se ai nuk ia doli që të shkëlqente te “Zonja e Vjetër” dhe pjesën më të madhe të kohës e kaloi në stol.



