Tenis

“Jam e lodhur”, Barty lë tenisin në moshën 25-vjeçare

“Jam kaq e lumtur, jam gati! E di që në zemrën time, për mua si person, kjo është zgjedhja e duhur”.

Lajmërim i bujshëm i Ash Barty-t, numri 1 në botë i tenisit femëror. Në moshën 25-vjeçare tërhiqet, më pak se dy muaj nga triumfi në “Australian Open”, në atdheun e saj. Me zërin që nuk i fshihte emocionet, Barty bëri të ditur vendimin nëpërmjet një videoje prej 6 minutash të publikuar në Instagram.

“Është koha për të ndjekur të tjera ëndrra. Nuk do të ndal së dashuruari kurrë tenisin. Do të jetë gjithmonë pjesë e rëndësishme e jetës sime, por tani mendoj se është e rëndësishme të shijoj fazën e ardhshme të jetës, si njeri, jo si sportiste.”

Gjatë një bashkëbisedimi me shoqen e saj të skuadrës, Casey Dellaqua, Barty vazhdoi:

“Është hera e parë që e them me zë të lartë dhe e kam të vështirë. Nuk kam më shtysën fizike, dëshirën emotive dhe gjithçka duhet për të sfiduar veten në nivelet maksimale. Jam e lodhur”.

Kjo nuk është hera e parë që Barty lë tenisin. Kampione e botës për të reja në “Wimbledon”, në moshën 15-vjeçare në 2011, u largua nga aktiviteti për dy vjet në 2014, e lodhur nga presioni dhe nga udhëtimet e shpeshta që kërkon ky sport.

Luajti kriket profesionist në Australi, pastaj në fund mori sërish në dorë raketën për t’iu rikthyer tenisit. Fitoi “Roland Garros” në 2019, Wimbledonin dhe pastaj, në janar, “Australian Open”, duke u bërë e para lojtare e këtij vendi që fiton trofenë pas plot 44 vjetësh që nga triumfi i Evonne Goolagong.

Në 12 vjet si profesioniste, fitoi 15 trofe individualë dhe 12 në tenisin dysh. Ka qenë për 121 javë numri 1 i klasifikimit. Barty vjen pas 25 suksesesh në 26 ndeshjet e fundit të luajtura dhe ka fituar 3 nga turnetë e fundit në të cilët ka marrë pjesë. Vetëm një femër ka braktisur më parë tenisin, në krye të klasifikimit WTA. Justine Henin ishte numri 1 kur u tërhoq në maj të vitit 2008.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency