Rrahmani: Trajneri francez është shumë pozitiv, pas ndeshjes së parë do kuptojmë çfarë kërkon
Amir Rrahmani foli në konferencë për shtyp para ndeshjes së nesërme që Kosova e luan ndaj Burkina Fasos në shtëpi. Mbrojtësi që aktivizohet me Napolin në Serie A, u shpreh se vetëm pas ndeshjes së parë mund të kuptojnë më qartë atë që kërkon trajneri Alain Giresse pasi mund të bëhet një videoanalizë, ndërsa shton se tekniku francez përçon një frymë pozitive në grupin e futbollistëve.
“Do të jenë ndeshje të rëndësishme dhe do të shohim çfarë kërkon trajneri dhe ta aplikojmë në fushë, për të qenë gati në ndeshjet e qershorit. Me përkthimin e trajnerit na ndihmon përgatitësi atletik, por është edhe Vojvoda me Zhegrovën që kanë nisur të flasin frengjisht dhe na ndihmojnë me përkthimin.
Është fillimi, kemi bërë vetëm stërvitjen e parë dhe do të shohim si do të përgatisim ndeshjen. Pas ndeshjes mund të bëhet një analizë më e mirë, për të kuptuar edhe atë që kërkon trajneri. Trajneri është shumë pozitiv dhe shpresoj të jetë kështu gjithmonë sepse na duhet një frymë e tillë në skuadër”, u shpreh Rrahmani.



