Rinovimi, Brozovic: Nuk bisedova me asnjë klub, ju tregoj pse! Të fitojmë titullin dhe Kupën
Drejtuesit e Interit kanë zyrtarizuar një tjetër rinovim të rëndësishëm pas atyre të Lautaro Martinez, Barellës dhe Bastonit. Marcelo Brozovic, i cili ndodhej në vitin e fundit të kontratës, ka firmosur sot deri në 2026.
Mesfushori kroat do të përfitojë 6 milionë euro + bonuse në sezon nga akordi i ri. 29-vjeçari është pjesë e Interit prej vitit 2015, duke u kthyer gradualisht në lojtarin kyç të mesit të fushës së kampionëve të Italisë.
Rinovimi i tij ka krijuar entuziazëm te populli zikaltër, por më entuziast se të gjithë është mesfushori nga Zagrebi, i cili shprehu gjithë lumturinë e tij në prononcimin e dhënë për kanalin zyrtar të klubit.
“Jam shumë i lumtur që zgjata bashkëpunimin me Interin. Unë e doja shumë këtë rinovim dhe klubi e dinte. Kurrë nuk kam dashur të flas me ndonjë ekip tjetër për respekt të Interit dhe tifozëve.
Falënderoj klubin dhe e përsëris: sot ndihem shumë i lumtur. Ua kam përsëritur gjithmonë agjentëve të mi që nuk dua të bisedoj me klube të tjera, përveçse nëse Interi do ma bënte të qartë se nuk donte rinovimin me mua.

Jam shumë krenar që jam pjesë e këtij grupi dhe e këtij klubi që ka një histori të madhe. Ka qenë gjithmonë një nder dhe një privilegj të luaja për Interin. Unë gjithmonë e kam respektuar dhe dashur këtë klub, dhe kjo do të zgjasë përgjithmonë.
Kaloj shumë mirë me trajnerin dhe shokët e mi, dhe jam i lumtur që do i mbroj këto ngjyra për një kohë të gjatë dhe jam pjesë e këtij projekti”, deklaroi Brozovic, i cili karikoi skuadrën për vazhdimësinë e sezonit dhe e mbylli me tifozët.
“Ne jemi të vendosur për të realizuar objektivat të tjerë të rëndësishëm, të gjithë së bashku. Ne luajmë gjithmonë për të fituar, ky është i vetmi qëllim që kemi.
Për një gjë jam i sigurt: do të japim gjithçka për të fituar titullin kampion dhe Kupën e Italisë. Do të punojmë çdo ditë edhe më shumë, sepse vetëm me punë, lodhje dhe vendosmëri në stërvitje mund të arrihen objektivat.
Kam një marrëdhënie të shkëlqyer me tifozët e Interit, të cilët më kanë dashur gjithmonë. Mezi pres të kthehem në fushë dhe të festoj bashkë me ta”.
Sa e njihni La Ligën?
Testoni njohuritë tuaja mbi kampionatin spanjoll...



