Kualifikueset e Amerikës Jugore/ Uruguai siguron “biletën” për në Katar dhe i bën nder Kolumbisë
Uruguai është skuadra e katërt që siguron një biletë për në Katar 2022, me përfaqësuesen “La Celeste” që triumfoi në takimin direkt ndaj Peru-s me rezultatin minimal 1-0 falë golit të 27-vjeçarit Giorgian De Arrascaeta në minutën e 42-të. Luis Suarez luajti për 75 minuta, por nuk ia doli të shënonte, ndërsa sulmuesi i Manchester United, Edinson Cavani e nisi nga stoli këtë sfidë dhe luajti vetëm 24 minuta. Dy herë kampionët e botës kualifikohen kështu për herë të katërt radhazi, ndërsa në Katar do të luajnë botërorin e 14-të në histori.
Hapin fals të Peru-s e shfrytëzoi në maksimum Kolumbia që triumfoi ndaj Bolivisë 3-0 duke ngushtuar diferencën me peruanët në vetëm 1 pikë larg vendin të 5-të, pozicion i cili luan më pas në “Play-Off”. Në Barranquilla, të besuarit e Rueda-s dominuan në çdo aspekt duke treguar dëshirën për të prekur Katarin, ndërsa goli i parë u shënua në minutën e 39-të nga sulmuesi i Liverpool, Luis Diaz. Në fraksionin e dytë, Borja dyfishoi në të 72-ën, ndërsa golin e fundit e realizoi Uribe në minutën e 90-të.
Në Maracana, Brazili bën detyrën përballë Kilit, me brazilianët që triumfuan pastër 4-0. Përfaqësuesja e Tite-s e kishte siguruar kualifikimin, por vendasit nuk toleruan asgjë ndaj një kundërshtari “të dëshpëruar” tani për sa i përket kualifikimit. Neymar hapi serinë e golave me një penallti të përkthye në gol në minutën e 44-të, ndërsa në minutën e parë shtesë Vinicius Jr. dyfishoi rezultatin. Skuadra e Lasarte ishte e pafuqishme edhe në pjesën e dytë, pavarësisht emrave si Vidal, Medel apo Alexis Sanchez, kilianët u dorëzuan pa kushte. Goli i tretë u shënua nga Coutinho, i cili realizoi nga pika e bardhë e penalltisë, ndërsa firma e fundit erdhi nga sulmuesi i Everton, Richarlison në minutën e 91-të.
Paraguai triumfoi 3-1 ndaj Ekuadorit, por një rezultat që nuk ndryshon asgjë në fatet e dyja skuadrave, me vendasit që prej javësh janë pa objektiva, ndërsa skuadra e Alfaro-s kishte siguruar biletën e kualifikimit. Morales zhbllokoi rezultatin pas 10-të minutash lojë për vendasit, ndërsa në minutën e 6 shtesë, Hincapie shënoi një autogol, duke çuar vendasit në dhomat e zhveshjes me avantazhin e dy golave. Në fraksionin e dytë, Almiron shënoi të tretin në të 54-ën, ndërsa golin e vetëm për Ekuadorin e shënoi Caicedo me penallti, 5 minuta nga fundi i kohës së rregullt.




