Featured

VIDEO/ Shqipëria U21 bën “harakiri”, një autogol vendos sfidën ndaj Çekisë

Shqipëria U21 merr humbjen e tretë radhazi në fushatën eliminatore të Europianit, po ashtu mposhtet për të dytën herë nga Çekia, këtë herë në Elbasan Arena me rezultatin minimal 0-1. Kuqezinjtë në fakt e pësuan prej gabimeve të tyre, pasi sfida u vendos nga një autogol i minutës së 35-të nga Serxhio Kalaj.

Sa i takon kronikës së sfidës, në pjesën e parë ishin miqtë të cilët dhanë shkëndijen e parë me anë të sulmuesit Sejk, megjithatë portieri Simoni ndali goditjen pa shumë problem. Në anën tjetër, Tedi Cara pati mundësi të shkëlqyer në minutën e 17, megjithatë goditja e sulmuesit të Partizanit u ndal nga portieri Kovar. Momenti fatal për të besuarit e trajnerit Alban Bushi mbërriti në minutën e 35, teksa Kalaj u tregua i pavëmendshëm dhe devijoi topin në portën e tij me portierin Simoni i cili nuk pati asnjë shans për të reagur.

Ndërkaq, në fraksionin e dytë, Shqipëria U21 tregoi më shumë dëshirë dhe Ndrecka iu afrua barazimit në minutën e 52, teksa goditja e tij përfundoi vetëm pak centimetra larg kuadratit të çekëve. Shtatë minuta më pas ishte Muçi që tentoi portën nga një kënd i vështirë, por goditja e sulmuesit të Legias nuk pati forcën e duhur dhe u ndal nga portieri Kovar.

Në vazhdim, ishte portieri Simon Simoni i cili u shndërrua në një protagonist për të ruajtur humbjen minimale, pasi kalvari i pritjeve të gardianit të Dinamos nisi në minutën e 71, për të vazhduar në të 82-tën, ndërsa në të 86-tën, 17-vjeçari ndali mrekullisht kundërshtarin.

Pas kësaj, disfate kuqezinjtë renditen të katërt në Grupin G me nëntë pikë pas shtatë ndeshjeve të luajtura, ndërsa Çekia ruan kryesimin me 16 pikë. Kjo humbje vështirëson objektivin e kuqezinjve të Bushit për ta mbyllur grupin në vendin e dytë, në një grup ku bëjnë pjesë edhe Anglia, Sllovenia, Kosova dhe Andorra.

 

Kronika e ndeshjes:

95′ Përfundon ndeshja në Elbasan Arena, Shqipëria U21 mposhtet me rezultatin 0-1 ndaj Çekisë

94′ Tuci provon me kokë pas harkimit të Dobrës, por gabon shënjestër

86′ Edhe njëherë portieri Simoni hero për kuqezinjtë teksa ndal i vetëm Fila

82′ Portieri Simoni mban kuqezinjtë në lojë pasi shpëton mrekullisht portën pas një goditje me kokë

71′ Sejk vendos në provë portierin Simoni nga goditja e dënimit, por gardiani i talentuar reagon në mënyrën e duhur duke larguar rrezikun nga zona e tij

67′ Karrica shfaqet në zonë dhe pason për Tucin, i cili me gjithë zgjatjen e tij nuk ia del të devijojë topin, ndërsa në vazhdim portieri Kovar i jep fund aksionit të kuqezinjve

60′ Muçi tenton portën nga një kënd i vështirë, por goditja e sulmuesit të Legias nuk ka forcën e duhur dhe ndalet nga portieri Kovar

53′ Kuqezinjtë pranë barazimit me anë të Ndreckës që godet fort në hyrje të zonës, por topi kalon ngjitur me shtyllën e portierit Kovar

43′ Goditje dënimi në një pozicion të favorshëm për kuqezinjtë, por Muçi e shpërdoron me sferën që përfundon jashtë kuadrati

Gooooool! 35′ Ndëshkohet Shqipëria U21, një gafë në mbrojtje e Kalajt që e dërgon sferën në portën e tij i fal avantazhin Çekisë

17′ Ismajlgeci godet nga distanca me topin që devijohet, në fund është Cara që ka mundësinë e artë, por sulmuesi i Partizanit ndalet nga portieri çek

9′ Sejk provon nga distanca, megjithatë Simoni ndal pa problem në pozicion

1′ Starton sfida në Elbasan Arena mes Shqipërisë U21 dhe Çekisë U21, takim i vlefshëm për kualifikueset e Europianit

Formacionet zyrtare:

Shqipëria U21: Simoni, Ndrecka, Mitaj, Kalaj, Ismajlgeci, Marku, Çelhaka, Kraja, Muçi, Karrica, Cara
Trajner: Alban Bushi

Republika Çeke: Kovar, Fukala, Hranac, Vittik, Gabriel, Valentta, Kaloc, Zamburek, Ostrak, Sejk, Sulc
Trajner: Jan Suchoparek

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency