Java e fundit e fazës së tretë, Superiorja luhet në tre ditë!
Këtë fundjavë, me të mbaruar angazhimin kombëtaret, Abissnet Superiore do të rikthehet në fushë për javën e 27-të, ose thënë nddryshe ndeshjet e fundit të fazës së tretë. Takimi që spikat mbi të tjerat është ai mes Kukësit dhe Tiranës, që do të luhet të shtunën në orën 13:45. Verilindorët kërkojnë të ndalin hapin e kryesuesve që vijnë në këtë sfidë pas dy fitoreve radhazi të cilat i kanë krijuar qetësinë pasi tashmë e shohin veten 13 pikë para ndjekësve më të afërt, Laçit.
Te bardheblutë për këtë ndeshje rikthehet në dispozicion Filip Najdovski që sfidën e fundit ndaj Dinamos mungoi për shkak të kartonëve. Nga ana tjetër, Kukësi pretendon vendin e dytë të klasifikimit teksa verilindorët shohin Laçin vetëm tre pikë larg. Sakaq, po të shtunën, Dinamo ka një përballje direkte për mbijetesën ndaj Egnatias, me rrogozhinasit që vijnë në një formë më të mirë dhe me katër pikë diferencë nga blutë e kryeqytetit, të cilët kanë një nga shanset e fundit për të shpëtuar sezonin dhe të qëndrojnë në garën e mbijetesës.
Ndërkohë të dielën luhet vetëm një ndeshje dhe është ajo mes Teutës dhe Skënderbeut me durrsakët që pas trepikëshit në Laç janë më të qetë në renditje, ndërsa korçarët mbeten të fundit dhe më të rrezikuarit për të rënë nga kategoria. Për të kaluar më pas në ditën e hënë, ku Partizani luan ndaj Laçit me të dyja skuadrat që vijnë pas humbjeve dhe iu duhet të reagojnë, ndërsa Vllaznia pret në Shkodër, Kastriotin.




