Featured

Plori: Na gëzon rikthimi i Latifit, duam finalen e Kupës

Disa ditë pushim duket se kanë bërë mirë në kampin e Vllaznisë, që ka lënë pas krahëve humbjen e thellë 3-0 në transfertën ndaj Egnatias dhe është rikthyer të përgatitet për sfidën e parë gjysmëfinale ndaj Partizanit, e planifikuar për nesër pasdite në “Elbasan Arena”.

Trajneri Elvis Plori ka dalë në konferencën e zakonshme për shtyp, ku ka folur për gjendjen e ekipit para kësaj sfide dhe ka theksuar se objektivi i kuqebluve është të bëjnë sa më mirë, pse jo të hedhin një hap drejt finales që në ndeshjen e parë.

A vjen kjo përballje në momentin e duhur për Vllazninë?
Një sfidë ndaj Partizanit është gjithmonë interesante, ndaj shpresoj që lojtarët të japin më të mirën dhe të marrim një rezultat sa më të mirë. Është një kualifikim që vendoset në harkun e dy ndeshjeve, por ne duam të arrijmë në finale. Është një ndeshje e fortë, pasi edhe kundërshtari synon të njëjtën gjë, por ne kemi shfrytëzuar ndërprerjen për t’u përgatitur mirë.

Si është gjendja me dëmtimet, krahasuar me sfidën ndaj Egnatias?
Ndaj Egnatias kemi pasur shumë mungesa, por stafi mjekësor ka bërë një punë shumë të mirë dhe sot kompletohet grupi, ndaj besoj që pjesa më e madhe e futbollistëve do të jenë gati.

A mendoni se ajo humbje mund të ndikojë negativisht në moralin e futbollistëve?
Ndeshjen me Egnatian e kemi analizuar shumë mirë, por duhet ta harrojmë dhe të mendojmë për sfidën e nesërme. Shpresoj që edhe lojtarët e rikthyer, të jenë me një marsh më shumë për sfidën e nesërme.

Do të jetë Gurishta me skuadrën?
Gurishta mungon për nesër. Pavarësisht punës së tij dhe stafit mjekësor, nuk ia ka dalë të rikuperohet dhe nuk do të jetë me ekipin.

Sa i rëndësishëm është rikuperimi i Latifit?
Latifi është nga më të mirët e skuadrës edhe me statistika, ndaj është ndjerë shumë mungesa e tij. Është angazhuar shumë në seancat stërvitore të këtyre ditëve dhe besoj që do të jetë një rikthim i rëndësishëm për ne, ndaj jemi të gjithë të gëzuar.

Si është gjendja e skuadrës në prag të sprintit final të sezonit?
Çdo javë që kalon, intensiteti i ndeshjeve rritet, pasi luajmë çdo tre ditë. Çdo sfidë ka veçoritë dhe specifikat e saj, por ne duhet t’i marrim një nga një dhe për momentin mendojmë vetëm për sfidën ndaj Partizanit. Më pas presim të tjera rikuperime për sfidën ndaj Kastriotit, megjithatë kemi kohë të mendojmë për të.

A do të ishte një barazim, rezultat i mirë për Vllazninë nesër?
Kemi një emër të madh përballë, por ne jemi Vllaznia dhe nuk futemi asnjëherë në fushë për të marrë diçka minimale. Kemi kundërshtar të fortë, por edhe ne jemi një ekip cilësor, ndaj shpresoj që lojtarët të jenë në ditën e tyre më të mirë, për të marrë maksimumin nesër.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency