VIDEO/ Gjysmëfinalja e Kupës mbyllet me tension, VAR-i i heq golin Vllaznisë
Partizani nuk ia del të thyejë Vllazninë as në Kupën e Shqipërisë (korrik 2020 triumfi i fundit). Sfida e parë gjysmëfinale e Kupës së Shqipërisë përfundoi në barazim 0-0, duke lënë të hapur gjithçka për duelin e kthimit.
Ndeshja nuk pati një ritëm të kënaqshëm, me dy skuadrat që menduan të jenë më shumë të kujdesshme. Emocione prodhuan vetëm minutat e fundit, por edhe polemika e protesta.
Xhuliano Skuka, lojtari më i rrezikshëm i Partizanit, u ndal nga shtylla në minutën e 84-t. Sulmuesi gjuajti me kokë nga vendi, por ishte i pafat.
Më i saktë u tregua Ante Aralica me kokë. Kroati fitoi duelin ajror me mbrojtjen e “Demave” në minutën e tretë shtesë dhe dërgoi topin në rrjetë, por arbitri kryesor anuloi golin e shkodranëve pasi pa pamjet në VAR.
Lojtarët shkodranë nuk u besuan syve dhe protestuan ashpër, por në fund 0-0 dhe skuadra finaliste do të zgjidhet në “Loro Boriçi” më 13 prill.
Kupa e Shqipërisë
Gjysmëfinalja e parë
Partizani-Vllaznia 0-0
Kronika e ndeshjes:
90+3′ Ante Aralica shënon goli për Vllazninë. Festë në kampin kuqeblu, por arbitri anulon golin e kroatit pasi pa pamjet në VAR. Protesta të shumta të lojtarëve miq.
87′ Mustedanagic tenton për ekipin shkodran, gjuajtja e malazezit përfundon mbi tra.
85′ Skuka i papërmbajtshëm, lë pas Adilin në një duel shpejtësie, mungon konkretizimi i aksionit.
84′ Rasti më i mirë i ndeshjes i takon Partizanit. Krosim i Albion Markut dhe devijimi bukur me kokë i Skukës, shtylla shpëton Vllazninë.
80′ Maguette Gueye, i cili u fut në lojë në vend të Muratajt, fiton duelin ajror ndaj mbrojtjes shkodrane, por nuk gjen kuadratin e portës.
71′ Shans në portën tjetër. Albion Marku nis bukur Skukën, por devijimi i sulmuesit nuk ka forcë, pret pa probleme Zogovic.
70′ Latifi vë në provë reflekset e Hoxhës nga një goditje dënimi, grushton “gardiani” i Partizanit.
61′ Mevlan Adili përdor parakrahun ndaj Tedi Carës dhe merr karton të verdhë. Mbrojtësi i Vllaznisë nuk e pret mirë ndëshkimin.
58′ Insiston Vllaznia. Da Silva driblon lehtësisht një kundërshtar dhe kërkon cepin e Hoxhës, devijon Belica në këndore.
50′ Kërcënon Vllaznia me anë të kapitenit. Ardit Krymi nuk heziton aspak, gjuan fluturimthi, topi përfundon jashtë.
45′ Gjuajtje e fortë e Stenio Junior, pret pa probleme Zogovic.
41′ Vllaznia pretendon për penallti pasi topi shkon te Hadroj, arbitri kryesor vazhdon lojën.
39′ Stenio Junior i beson më shumë seç duhet të djathtës së tij. Gjuajtje për t’u harruar.
38′ Esat Mala merr një top të bukur dhe del i vetëm përballë Zogovic, por nuk e kontrollon dot.
26′ Reagon ekipi shkodran. Da Silva merr mirë një top me kokë dhe tenton portën kundërshtare, devijojnë topin Belica dhe portieri Hoxha.
22′ Ndërhyrje e parregullt e Markut kundrejt Latifit. Goditje dënimi për skuadrën e Plorit, i verdhë për anësorin e djathtë.
18′ Aksion i bukur i Partizanit. Skuka niset në të djathtë dhe lëshon një diagonale potente. Grushton Zogovic, këndore për Partizanin.
9′ Goditje dënimi për vendasit, mundësi e mirë për Kallakun, por topi përplaset në murin kuqeblu.
2′ Skuka i shkëputet mbrojtjes shkodrane, por gjuajtja e tij nuk ka forcë. Pret pa probleme Zogovic. Anësori akordon pozicion të parregullt të sulmuesit.
Fillon ndeshja në “Elbasan Arena”
Formacionet zyrtare:
Partizani (4-3-1-2): Hoxha; Marku, Belica, Bitri, Hadroj; Matondo, Murataj, Mala; Kallaku; Skuka, Stenio Junior. Trajner: Dritan Mehmeti.
Vllaznia (4-2-3-1): Zogovic; Kruja, Adili, Diagne, Hakaj; Jonuzi, Krymi; Latifi, Da Silva, Hoxhaj; Aralica. Trajner: Elvis Plori.



