Hasenhuttl kërkon mbrojtje nga arbitrat për Brojën: Është shumë i shpejtë, ndalet vetëm me duel fizik!
Për të katërtën ndeshje radhazi në Premier League, Southampton dështoi të marrë pikët e plota teksa së fundmi u ndal nga Leeds në transfertë me rezultatin 1-1. Si zakonisht në fushë prej minutës së parë për “Shenjtorët” ishte edhe Armando Broja, me sulmuesin shqiptar që nuk ia doli të gjente rrugën e rrjetës.
Goli i mungon 20-vjeçarit prej më shumë se një muaji kur ndëshkoi më datë 2 mars në FA Cup, West Ham, teksa duket sikur kundërshtarët tashmë kanë nisur t’i studiojnë mirë lëvizjet e sulmuesit. Dhe, në jo pak raste Brojën e ndalin me ndërhyrje të ashpra teksa mundohen të mbrohen nga shpejtësia e shqiptarit.
Këtë e ka theksuar edhe trajneri i Southampton, Ralph Hasenhuttl, i cili pas ndeshjes me Leeds shtoi se është në dorë të arbitrave të konsiderojnë si ndërhyrje të gabuara apo jo, duelet fizike ndaj Brojës.
“Ishte një ndeshje e vështirë edhe për arbitrin sepse kishte shumë faulla dhe duele të forta. Broja është shumë i shpejtë dhe në momentin që topi shkon pas shpinës së mbrojtësve, është e vështira tw ndalet nga mbrojtësit kundërshtarë. Mundësia e vetme është të futesh në duel fizik dhe në këto raste i takon arbitrit të gjykojë nëse është faull apo jo, edhe pse duelet ndonjëherë shkojnë përtej limiteve”, u shpreh Hasenhuttl.



