“Frashëri humbi ndjenjat”, drejtuesi i Ballkanit jep informacion për gjendjen e portierit korçar
Portieri korçar i Ballkanit, Stivi Frashëri ka rënë pre e dhunës në Superligën e Kosovës, pasi është goditur pas koke nga një tifoz i Gjilanit në fundin e ndeshjes, menjëherë pasi vendasit kishin shënuar golin e barazimit.
Pikërisht për të festuar golin, tifozët zbritën në fushë, por njëri prej tyre nuk ngurroi të godasë nga pas kokës gardianin e Ballkanit, ndërsa më pas ndeshja u ndërpre, teksa kronometri shënonte minutën e 95-të.
Menjëherë më pas Frashëri mori ndihmën mjekësore dhe u dërgua në spital, ndërsa drejtuesit e klubit të Ballkanit dhanë informacione edhe për gjendjen e portierit, duke zbuluar se për disa minuta humbi ndjenjat.

“Frashëri humbi ndjenjat pas goditjes në kokë dhe u transportua drejt spitalit. Tani është më mirë dhe po merr serum, ndërsa pak më vonë do të bëjë edhe rezonancën në kokë”, shprehet drejtuesi i Ballkanit, Idriz Hajrizi.



