E ardhmja e Ancelottit varet nga Champions, një gjerman intrigon Perez
Carlo Ancelotti po bën shumë mirë në aventurën e dytë si trajner i Real Madrid. Italiani fitoi Superkupën e Spanjës në janar dhe po garon për fitimin e titullit dhe Champions League.
Reali kryeson La Liga-n me një diferencë të konsiderueshme nga ndjekësit, teksa në çerekfinalet e Champions do të sfidojë Chelsea, skuadrën kampione në fuqi.
Gjithsesi, nëse Ancelotti dështon të sjellë trofe në “Santiago Bernabeu” drejtuesit mund ta shkarkojnë. Te Reali nuk kanë durim me trajnerët, të cilët i shpëton vetëm fitorja.
Telegraph raporton se një nga emrat që pëlqehen shumë nga presidenti Florentino Perez është Thomas Tuchel, i cili udhëhoqi Chelsea drejt fitimit të Champions sezonin e kaluar.
Gjermani është një nga opsionet për zëvendësimin e Ancelottit, por më parë duhet parë se kush do e fitojë duelin mes tyre dhe cila skuadër do të kalojë në gjysmëfinale.




