Ish-sulmuesi i United këshillon klubin për merkaton: Harrojeni Rice, mendjen te talenti Dortmund
Edhe ky sezon duket se do të mbyllet pa shumë bujë për Manchester United me Djajtë e Kuq të cilët si objektiv të vetëm kanë renditjen mes katër më të mirëve të Premier League për të siguruar një biletë në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm. Në këtë formë, veç gjetjes së trajnerit të ri, te United janë të fokusuar edhe në merkaton e futbollistëve ku prej kohësh është vendosur nën shënjestër Declan Rice.
Mesfushori i West Ham dhe kombëtares së Anglisë është një nga më të vlerësuarit në rolin e tij dhe te United mund të vendoste rregull në mesfushë, duke marrë në konsideratë edhe se Pogba është me valixhet gati për t’u larguar nga Manchesteri. Por, Rice kushton një pasuri të tërë, pasi te West Ham nuk kanë ndërmend ta lënë të lirë për një shumë më pak se 150 milionë paund, ndaj së fundmi ish-sulmuesi i United, Andy Cole ka këshilluar drejtuesit e klubit të fokusohen te Jude Bellingham, talenti anglez i Borussia Dortmund.
“150 milionë paund për një mesfushor difensiv? Janë shumë para dhe në pozicionin që Rice luan, golat nuk janë aspak të garantuar. Nëse në verë do të ishte mundësia për të zgjedhur mes Rice dhe Bellingham, unë do të shpenzoja para për lojtarin e Dortmund. Bellingham është 18-vjeç dhe krijon mundësi shënimi për shokët, por edhe realizon vetë. Në moshën që është për mua zotëron aftësi të frikshme dhe do t’i dhuronte skuadrës shumë energji”, u shpreh Cole.



