Kategoria Superiore

Nga Skënderbeu, te Partizani, shifrat e Mirel Josës në pankinën e Laçit

Aventura e Mirel Josës në pankinën e Laçit zgjati diçka më tepër se 5 muaj, me trajnerin kryeqytetas që u prezantua në stolin e kurbinasve më 24 tetor dhe drejtoi për herë të parë skuadrën në sfidën ndaj Skënderbeut, e vlefshme për javën e 7 të Abissnet Superiores.

Që atëherë kurbinasit nisën një seri rezultatesh pozitive, duke ngjitur shkallët e renditjes një e nga një, aq sa në fund të muajit shkurt ishin pretendentë për titullin kampion, bashkë me Tiranën.

Megjithatë pikërisht përballja me bardheblutë në kryeqytet prodhoi një humbje të thellë 4-1, që la gjurmë te skuadra, pasi Laçi më pas njohu vetëm barazime dhe disfata në kampionat, duke dalë nga gara për titullin kampion.

Humbja ndaj Partizanit solli edhe vendimin e drejtuesve të Laçit për të shkarkuar Mirel Josën, i cili drejtoi kurbinasit për 26 ndeshje mes kampionatit dhe Kupës së Shqipërisë, duke regjistruar 15 fitore, 7 barazime dhe vetëm 4 humbje, për një golavarazh prej 36 golash të shënuar dhe 16 të pësuar.

Tekniku kryeqytetas la skuadrën në vendin e dytë në kampionat dhe në gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë, teksa nga eksperienca e tij në stolin kurbinas, do të mbahet mend festa pas fitores me Tiranën, diçka e rrallë për Mirel Josën.

Tani drejtimin e Laçit pritet ta marrë një tjetër emër i njohur i pankinës në Shqipëri, Shpëtim Duro, i cili ishte në stolin e kurbinasve edhe sezonin e kaluar, duke bërë mjaft mirë si në kampionat, ashtu edhe në Europë, ku u eliminua nga gjigantët belgë të Anderlechtit.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency