Serie A

Nga Dzeko-Lautaro te Dybala-Lukaku, tifozët e Interit mund të ëndërrojnë

Nga Dzeko-Lautaro, te Dybala-Lukaku. Kështu mund të ndryshojë sulmi zikaltër për sezonin e ardhshëm, me Interin që është gati të mirëpresë ofertat për argjentinasin, pasi me paratë nga shitja e tij, do të rregullonte jo pak llogaritë.

Në të njëjtën kohë, zikaltrit do të ulnin ndjeshëm edhe vlerën në listë-pagesë, pasi Lautaro, Vidal dhe Sanchez janë ata që marrin më shumë para dhe kilenët janë gjithashtu me valixhet gati për në fund të sezonit.

Në këtë mënyrë zikaltrit do të kenë mundësi t’i ofrojnë rreth 8 milionë euro në sezon Paulo Dybalës, për ta joshur të kalojë në anën zikaltër të Milanos me parametra zero, pasi i skadon kontrata me Juven në fund të sezonit.

Kontaktet e Marottës me Dybalën dhe menaxherin Antun, kanë nisur prej javësh dhe palët i kanë dhënë kohë njëra-tjetrës për të vendosur në fillim të verës mbi të ardhmen.

Krahas Dybalës, në Milano mund të rikthehet edhe Romelu Lukaku, të cilin Interi e shiti për 115 milionë euro te Chelsea, por në Londër belgu po vuan shumë dhe po aktivizohet me pikatore.

Mediat italiane zbulojnë se së fundi Lukaku ka telefonuar drejtuesit e Interit për t’u konfirmuar vullnetin e tij për t’u rikthyer, qoftë edhe me një ulje të konsiderueshme page, vetëm që të mund të luajë sërish, pasi dëshiron të kapë formën më të mirë para Botërorit.

Megjithatë këtu gjithçka është në dorë të Chelsea-t, që zotëron kartonin e Lukakut dhe do të dëshironte ta shiste për një shifër të lartë, ndërsa Interi mund ta marrë vetëm në huazim.

Merkatoja hapet pas thuajse dy muajsh, por drejtuesit zikatër kanë nisur lëvizket intensive dhe në Milano parashikohet një verë vërtetë e nxehtë e emocionuese.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency