Pjesëmarrja në Kupat e Europës, ja pse luftohet fort për vendet e para dhe Kupën
Të ardhurat nga pjesëmarrja në Kupat e Europës mbetet zëri më i rëndësishëm për buxhetet e klubeve tona më të mira. 3 240 mijë euro ishte në total portofoli i përfituar verën e kaluar nga katër klubet tona pjesëmarrëse, ku pjesën më të rëndësishme e përfituan kampionët e Teutës me 1 290 mijë euro, të pasuar nga Laçi me 850 mijë, si dhe Partizani dhe Vllaznia me nga 550 mijë euro respektivisht.
Pikërisht, duke llogaritur peshën që zënë këto të ardhura në buxhetet e klubeve tona, gara e mbetur në xhiron e fundit të sezonit merr rëndësinë më maksimale. Praktikisht më e favorizuara është Tirana, që me stabilitetin e lojërave dhe të rezultateve ka vendosur një dorë të titulli kampion.
Me 27 pikë të mbetura në lojë, 14 pikë epërsi nga ndjekësi më i afërt janë një bonus i konsiderueshëm për të pronësuar për të 26-tën herë trofenë më të madh të futbollit tonë. Një sukses i tillë, përveç vlerave të mëdha sportive, të imazhit dhe historisë, do të garantonte të ardhura të larta për klubin bardheblu, që fillojnë me shpërblimin 10 milionë lekë të rinj nga Federata dhe minimalisht 990 mijë euro nga pjesëmarrja në Champions dhe Conference leage. Me përvojën e fituar, grupin cilësor të futbollistëve, kampionët tonë do të tentojnë përfitime shumë më të mëdha, të cilat UEFA i ofron në këtë mënyrë:
– 260.000 Euro shpërblimi për titullin kampion;
– 280.000 Euro për turin e parë në Champions League;
– 380.000 Euro për turin e dytë në Champions League;
480.000 Euro për turin e tretë në Champions League;
5.000.000 Euro për fazën Play-Off në Champions League;
15.640.000 Euro për pjesëmarrjes në fazën e grupeve të Champions League.
Ndërkohë, në varësi të rezultateve dhe turit në të cilin eliminohet nga kompeticioni më i fortë siç është Champions League, kampionia jonë mund të përfitojë të ardhura nga kalimi në Europa League, nëse kalon minimalisht një tur në Champions, duke hyrë në garë për këto shpërblime:
– 280.000 Euro për turin e tretë të Europa League.
– 300.000 Euro per turin Play-off të Europa League.
– 3.630.000 Euro për pjesëmarrje në fazën e grupeve të Europa League.
Ndërsa në Conference League shpërblimet e programuara nga UEFA janë gjithashtu shumë të favorshme për tri klubet tona vendin e dytë, të tretë dhe fituesen e Kupës. Në varësi të rrugëtimit në Champions League, apo Europa League, në këtë kompeticion mund të përfitojnë edhe kampionët tanë. Në secilin tur që arrijnë të luajnë klubet tona do të përfitojnë një bonus prej 100 000 Euro, ndërsa në momentin e eliminimit shpërblimet janë si më poshtë:
-150 000 Euro për turin e parë të Conference League.
-350 000 Euro për turin e dytë të Conferencë League.
-550 000 Euro për turin e tretë të Conferencë League.
-750.000 Euro në Play Off të Conferencë League.
-2.940.000 Euro për pjesëmarrje në fazën e grupeve të Conference League.
Të tilla shpërblime janë një motiv shumë i madh për të gjitha klubet e mbetura në garë për një biletë europiane dhe do të kenë ndikimin e tyre për një garë të fortë dhe të ndershme deri ne javën e fundit, me besimin se në garat kontinentale të na përfaqësojnë klubet më të mira, të cilave u dëshirojmë një paraqitje sportive dinjitoze, rezultate pozitive dhe shpërblime sa më të mëdha financiare.



