Kategoria Superiore

Analizë Superiore/ Vllaznia konfirmon problemet në finalizim, barazi totale në “Niko Dovana”

Java e 27 e Abissnet Superiores prodhoi rezultate surprizë, siç ishte fitorja e Kastriotit në Shkodër, teksa Dinamo e Skënderbeu mbeten në vendet e fundit dhe janë skuadrat me më pak shanse për të mbijetuar në Superiore.

Emisioni “Analizë Superiore” ka evidentuar shifrat në 5 sfidat që shënuan edhe fundin e fazës së tretë të Superiores, të cilat tregojnë se çfarë kanë bërë mirë skuadrat dhe ku kanë gabuar më së shumti.

Kukësi-Tirana 0-0
Ndryshe nga sa na mësoi në gjysmën e parë të sezonit, Kukësi i Longos ka ndryshuar fytyrë dhe vazhdon t’i lërë topin kundërshtarit, teksa të njëjtën gjë e bëri edhe ndaj Tiranës, me bardheblutë që kontrolluan sferën në 61% të kohës. Megjithatë ndeshja u dominua nga kujdesi për të mos pësuar dhe kjo konfirmohet edhe nga fakti që gjatë 90 minutave pati vetëm tre tentativa drejt portave përkatëse, ndaj edhe rezultati final 0-0 është padyshim reflektim i asaj që ndodhi në fushë.

Dinamo-Egnatia 0-2
Ishte një sfidë direkte për mbijetesën, megjithatë në fund festuan rrogozhinasit, që treguan se janë më shumë skuadër dhe u larguan me tre pikë që mund të rezultojnë vendimtare në garën për të qëndruar në elitë. Dinamo shfaqi dëshirën për të bërë lojën, duke kontrolluar topin më shumë, por kjo nuk u konkretizua në raste e aq më pak me gola, ndërsa Egnatia tregoi se është më shumë skuadër, pasi mbylli mirë hapësirat, sakrifikoi dhe u tregua e gatshme të godasë, falë edhe cilësive individuale të bomberit Pedro Augusto.

Teuta-Skënderbeu 0-0
Edhe në këtë takim, rezultati është pasqyra më e mirë e asaj që (nuk) prodhuan skuadrat në fushën e lojës, pasi gjatë gjithë 90 minutave pati vetëm një goditje në kuadrat nga ana e korçarëve. Të gjithë parametrat e tjerë, si përqindja e kontrollit të topit, rastet e krijuara, goditjet nga këndi, etj.

Vllaznia-Kastrioti 1-2
Shkodranët vinin me dëshirën për t’u rikthyer te fitorja që mungon prej më shumë se një muaji te kuqeblutë dhe kjo konfirmohet nga kontrolli i topit për më shumë se 66% të kohës. Megjithatë edhe këtë herë doli në pah dobësia që ka shoqëruar Vllazninë gjatë gjithë sezonit, aftësia për të finalizuar, pasi shënuan vetëm një gol. Nga ana tjetër krutanët qëndruan në pritje për minuta të tëra dhe në fund u hodhën para, duke ia dalë të ndryshojnë fatin e ndeshjes dhe marrë një 3 pikësh mjaft të vlefshëm për mbijetesën.

Partizani-Laçi 2-1
Ndeshja që “hëngri kokën” e Mirel Josës, u fitua nga “të kuqtë” me rezultatin 2-1, që ndonëse nuk vodhën asgjë, mund të thuhet me plot gojën se patën episodet në favor. Kurbinasit shfaqën një epërsi të lehtë në kontrollin e topit dhe rastet e krijuara, megjithatë në fund 3 pikët mbetën në kryeqytet.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency