Analizë Superiore/ Vllaznia skuadra me më shumë gafa në pasime, Kukësi nuk “mërzitet” me mbajtjen e topit
Në emisionin “Analizë Superiore” në Supersport nën drejtimin e Sokol Xhihanit dhe me pjesëmarrjen e videonalistit të kombëtares U19, Fation Bardhi janë pasqyruar statistikisht edhe skuadrat të cilat dallojnë në zotërimin e topit në këto tre faza të Superiores.
Në këtë aspekt, Kukësi bën diferencën me ekipet e tjera pasi verilindorët janë ata të cilët zotërojnë topin në masën 58.9%, ndërsa lejnë pas Partizanin dhe Laçin. Ndërkohë, kryesuesit e Tiranës duket se nuk janë shumë të dhëna pas mbajtjes së topit, duke preferuar të shfaqen cinikë kur e kanë atë në zotërim. Kështu, mesatarisht, Tirana e zotëron topin në masën e 49.5%, duke zënë vendin e shtatë në këtë klasifikim. Sakaq, më keq në këtë statistikë ka bërë Skënderbeu që është në zotërim të topit mesatarisht në masën 42.6%.

Ndërkohë, në lidhje me gafat dhe humbjet e topit, më keq bën Vllaznia. Të kuqtë e kanë humbur sferën në 3039 raste, ndërsa pas tyre vjen Partizani me Laçi. Kukësi është ekipi që tregohet më i kujdesshëm në këtë aspekt, teksa e ka humbur topin në 2596 raste. Mesatarja e kampionatit në lidhje me këtë statistikë është 2841.6.




