Roma për hakmarrje ndaj Bodo/Glimt, sfidë e nxehtë edhe në “King Power Stadium”
Conference League ka mbërritur tashmë në fazën çerekfinale dhe sytë janë në Norvegji, aty ku luhet sërish sfida mes Bodo Glimt dhe Romës. Këto dy ekipe ishin në të njëjtin grup këtë edicion dhe kundër çdo parashikimi Bodo ishte ekipi që mahniti, duke fituar 6-1 ndaj verdhekuqve në Norvegji, ndërsa në Itali barazoi 2-2.
Është koha që Roma të tentojë hakmarrjen, edhe për faktin se është në një situatë më të mirë se në tetor, kur turpërohej në Norvegji, në një ndeshje ku Jose Mourinho hodhi në fushë shumë lojtarë stoli. Megjithatë, Bodo Glimt nuk humbet prej 33 ndeshjesh, që prej gushtit të vitit të shkuar, kur u mund në Prishtinë. Përveç kësaj, norvegjezët janë në formë perfekte fizike, sepse sapo kanë nisur kampionatin, ndërkohë që nuk duhet harruar që sot do të luhet në temperatura shumë të ulëta.
Në turin e shkuar Bodo eliminoi holandezët e AZ Alkmaar, duke vijuar të tregojnë se nuk i intereson shumë mungesa e eksperiencës apo fakti që niset inferiore në letër ndaj shumicës së rivalëve. Ndërkaq, Roma kaloi Vitessen, por vuajti jashtëzakonisht, aq sa në ndeshjen e kthimit iu desh një gol nga Tammy Abraham në fundin e takimit për të shmangur shtesat.
Roma është favorite për të fituar Conference League, por një përballje mes dy ekipeve me shumë pretendime në këtë kompeticion luhet në Angli, ku Leicester pret PSV Eindhovenin. Është përballja e parë në histori mes këtyre dy klubeve, pasi Leicester nuk ka ndonjë traditë në Europë, ndryshe nga PSV që është përballur 34 herë me rivalë anglezë, duke fituar 10 herë. PSV në turin e shkuar eliminoi pa asnjë problem danezët e FC Copenhagen, ndërsa Leicester vuajti jo pak në dy përballje të vështira me francezët e Rennes. Për anglezët Conference League do ishte një triumf me rëndësi të madhe, në një sezon me shumë luhatje, ndërsa PSV është ende duke luftuar për titullin kampion në Holandë, por nuk ka ndërmend të heqë dorë nga Conference League, aq më shumë që tashmë finalja e Tiranës duket shumë pranë.
Çerekfinalet (vajtjet)
Feyenoord – Slavia Prague
Bodo/Glimt – AS Roma
Leicester – PSV
Marseille – PAOK



