Sport

Sporti në kolaps, KOKSH tenton zgjidhjen

Nga Ylli Aga…
Në kohën e një krize globale, efektet e së cilës kanë prekur çdo sektor të jetës sonë, iniciativa e KOKSH për të organizuar një takim me federatat sportive dhe ministrinë e sportive për tema që nxisin zgjidhje për problemet e sportit është në çdo rast i mirëpritur dhe për tu përshëndetur.

Temat e paralajmëruara për t’u diskutuar në këtë forum janë grantet e sportit dhe rihapja e kompanive të basteve. E para meriton disa përgjigje shteruese nga ana përfaqësuesve të Ministrisë, që deri në këtë moment çdo vendim të sajin e ka marrë të pa konsultuar më komunitetin e sportit dhe për fat të keq jo në përputhje me kërkesat minimale për organizimin, promovimin dhe rritjen e mëtejshme të lëvizjes sportive në vend.

Ndërkohë që rihapja e diskutimeve për rikthimin e basteve sportive si aktivitet i ligjshëm dhe si burim financiar vjen në një moment kritik dhe rezerva të shteruara për financimin e sporteve. Prej më shumë se 6 vitesh qeveria ndërmori iniciativën për mbylljen me ligj të basteve sportive, me arsyetimin se kishin krijuar një plagë të madhe sociale në vendin tonë.

Iniciativa fillimisht policore me operacionin fundi i marrëzisë dhe më pas ligjore u përshëndet në një masë të konsiderueshme nga opinion. Mënyra se si ishte i organizuar deri në atë moment, shtrirja masive që kishte në territor, funksionimi në të zezë të një pjesë të madhe të tyre ishin arsye të qenësishme për një vendim radikal të ndërmarrë nga qeveria.

Koha e kaluar dhe vëzhgimi në territor se si po vijojnë të funksionojë industria e basteve, veçanërisht ajo online mund të jetë e favorshme për ta rikthyer këtë aktivitet mbi një bazë ligjore strikte, me kufizime të rrepta për të mos u ekspozuar për moshat e reja dhe shtresave në nevojë, mund të krijojë premise për të ligjëruar një aktivitet, që është prezent dhe mbi të gjitha mund të garantojë një përqindje të ardhurash në ndihmë të sportit.

Iniciativa e KOKSH pason kërkesat e vazhdueshme të bëra nga komuniteti i futbollit nëpërmjet ligës profesioniste, që ka patur shënjestër dy elemente thelbësor rritjen e buxhetit për sportin nga qeveria dhe përmirësime ligjore për të krijuar një klimë më tërheqëse të biznesit, nëpërmjet ligjit të sponsorizimit.

Marrë në konsideratë shembujt pozitiv që vijnë nga shumë vende të tjera, do të ishte e udhës që edhe KOKSH t’i bashkohej kësaj iniciative, por në rast se propozimet e tyre dhe lobimi më organet e larta qeverisëse mund të prodhoj në finale të ardhura shtesë për të gjithë sportin do të meritonte mirënjohnjen e të gjithëve.

Në situatën aktuale, rihapja e basteve sportive, mund të rezultonte një zgjidhje tranzitore, deri në momentin e një marrëveshje të drejtë dhe të rëndësishme për çeljen e një epoke të re për sportin në vendin tonë, që për momentin me uljen e buxhetit nga qeveria, me ndalimin me ligj për të thithur para nga bashkitë, si dhe uljen e përfitimit nga portofoli i sponsorimeve nga biznesi, po përballet me një sfidë të vërtetë mbijetese.

Përballë saj kërkohet vullnet dhe bashkërendim të punëve të çdo institucioni për ta ndihmua sportin për të fituar këtë betejë. Iniciativa e KOKSH në këtë moment është më se i mirëpritur dhe prolog për gjetjen e një zgjidhje në favor dhe për të ardhmen e sportit në vendin tonë.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency