Conference League

VIDEO/ Roma dështon sërish përballë Bodo/Glimt! Feston Marseille, Leicester ngec në “King Power Stadium”

Feyenoord-Slavia Prague përfundoi në barazim 3-3, ndërsa tre çerekfinalet e mbrëmjes në Conference League prodhuan pak gola. Roma humbi sërish në transfertë kundër Bodo/Glimt, duke regjistruar ndeshjen e tretë sezonale pa fitore ndaj kampionëve të Norvegjisë.

Marash Kumbulla e zhvilloi të plotë ndeshjen, ndërsa Lorenzo Pellegrini kaloi verdhekuqtë në avantazh në fundin e pjesës së parë (43’). Kapiteni kombinoi bukur me armenin Mkhitaryan dhe dërgoi topin në rrjetë, por një gafë e portierit Rui Patricio (56’) i erdhi në ndihmë vendasve.

Portugezi nuk e devijoi dot gjuajtjen e Ulrik Saltnes, teksa një minutë përpara fundit Bodo/Glimt gjeti golin e fitores. Hugo Vetlesen u harrua në zonë nga mbrojtja italiane dhe gjuajti me kokë.

Vina devijoi topin aq sa të përfundonte në rrjetë dhe 2-1 për Bodo/Glimt, që në fazën e grupeve në Europa League regjistroi një sukses 6-1 shtëpiak dhe një barazim 2-2. Skuadra gjysmëfinaliste do të përcaktohet javën e ardhshme në mitikun “Olimpico”, teksa Romës iu anuluan dy gola (Kumbulla, Pellegrini).

Leicester City luajti më mirë se PSV në “King Power Stadium”, por sfida nuk prodhoi asnjë gol. “Dhelprat” insistuan për golin e avantazhit, por nuk ia dolën të çajnë mbrojtjen holandeze.

Në takimin tjetër, Marseille mposhti 2-1 grekët e PAOK-ut. Braziliano Gerson zhbllokoi takimin (13’), duke kaluar Marseille në avantazh. Francezët nuk u ndalën dhe dyfishuan falë eurogolit të Dimitri Payet.

Mesfushori, i cili njihet për golat spektakolarë që shënon, dhuroi “show” në minutën e fundit të pjesës së parë. Ekipi mik reagoi dhe shkurtoi diferencën falë golit të Omar El Kaddouri (48’), duke mbajtur të hapur çështjen e kualifikimit. Mbrojtësi shqiptar i ekipit nga Selaniku, Enea Mihaj e ndoqi sfidën nga stoli. Finalja e madhe e Conference League do të zhvillohet më 25 maj në “Air Albania”.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency