Conference League

Bodo u përgjigjet akuzave: Stafi i Romës me sjellje të papranueshme, denoncuam në polici ndihmësin e Mourinhos

Roma dhe Bodo/Glimt është shndërruar në një luftë të vërtetë, me norvegjezët që ia kanë dalë të fitojnë dy nga tre përballjet dhe një javë më vonë do të provojnë të mbrojnë rezultatin 2-1, për t’u kualifikuar në gjysmëfinalet e Ligës së Kampionëve.

Megjithatë verdhekuqtë akuzuan mbrëmjen e djeshme se tekniku i Bodo/Glimt, Kjetil Knutsen ka sulmuar në mënyrë të dhunshme trajnerin e portierëve të Romës, Nuno Santos, por sot kanë reaguar menjëherë norvegjezët.

Nëpërmjet një komunikate zyrtare, ata zbulojnë se ka qenë Nuno Santos ai që ka sulmuar trajnerin Knutsen dhe se për këtë kanë depozituar në UEFA edhe provat me video, duke hedhur kështu poshtë akuzat e Romës.

“Roma po bombardon publikun me lajme false, për të fshehur sjelljen e saj antisportive. Klubi i Bodos e di se ekziston një video e incidentit, që tregon sulmin e ndihmësit të Romës, ndaj trajnerit tonë, Knutsen. Videon e disponon UEFA dhe ne duam që të dalë për publikun, që duhet të mësojë të vërtetën. Edhe trajneri Knutsen ka mbetur i shokuar nga sjellja e stafit të Romës në fillim dhe e klubit më vonë”, thuhet në deklaratën e klubit Bodo/Glimt.

Vetë trajneri norvegjez foli gjithashtu për incidentin, duke zbuluar se është provokuar vazhdimisht nga stafi i Romës dhe për këtë ka vënë në dijeni edhe arbitrat, të cilët nuk kanë marrë asnjë masë.

“Ngacmimet e Nuno Santos kanë qenë të vazhdueshme gjatë ndeshjes dhe për këtë vumë në dijeni arbitrat, të cilët nuk ndërhynë, duke e lënë atë të lirë në “detyrën e vet”. Kulmi arriti në një sulm fizik ndaj meje në tunel, pasi më kapi për fyti dhe më mbështeti pas murit. Aty sigurisht që reagova në mënyrë instiktive. Ato ngacmime të stafit të Romës, nuk kanë vend në një stadium futbolli, ndaj klubi i Bodos nuk ka zgjedhje tjetër, veçse të denoncojë në polici Nuno Santos”, u shpreh trajneri Knutsen.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency