Kukësi pret Egnatian, synohet rikthimi te fitorja për të “blinduar” Europën
Kukësi – Egnatia vjen këtë të shtunë në skenë në stadiumin e Kamzës, me verilindorët që ju duhet të presin ende për inaugurimin e stadiumit të ri. Europa kundër mbijetesës, është një përballje objektivash të kundërta, por forma aktuale e skuadrave nuk reflekton klasifikimin.
Kukësi vjen pas një barazimi me laps e letër përballë Tiranës ku të dyja skuadrat prodhuan shumë pak, dhe ku mbizotëroi kujdesi për të mos humbur, por ndërkohë skuadra e Diego Longos ka regjistruar vetëm një fitore në 7 ndeshjet e fundit, duke humbur shumë nga shkëlqimi i pak muajve më parë, kur konsiderohej si një ndër formacionet që prodhonte futbollin më të bukur.
Në kërkim të rezultateve formacioni verilindor ka ndryshuar paksa dhe sjelljen duke lëshuar diçka nga zotërimi i topit, megjithatë rendimenti në sulm është dukshëm poshtë pritshmërive.
Gjithsesi ndryshe nga sfida me Tiranën, kjo është një sfidë për tu fituar për të konsoliduar pozitat në zonën europiane, teksa ofron dhe shansin për të parakaluar Laçin e vendit të dytë në rast të një hapi fals të verilindorëve.
Egnatia ndërkohë vjen në një moment të shkëlqyer, skuadra e Zekeria Ramadanit ishte një ndër më efikaset e fazës së tretë, dhe aktualisht në vendin e 8 të klasifikimit me 7 pikë diferencë ndaj Dinamos ndjekëse ka fituar qetësi në luftën për mbijetesë. Egnatia vjen pas një fitoreje që peshon shumë ndaj bluve, ndërsa në dy ndeshjet pararendëse mposhti 3-0 Vllazninë dhe ndali në barazim Partizanin.
Me një bilanc prej 7 golash në 3 ndeshjet e fundit, sulmi është në formë dhe Pedro Augusto me 4 gola në dy takimet e fundit, është profilizuar si një ndër sulmuesit më të rrezikshëm të kampionatit. Një kërcënim publik për mbrojtjen verilindore në një sfidë që edhe falë karakteristikave të të dyja skuadrave është premtuese për spektaklin dhe lojën e bukur.



